Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vendimi për pronat rreth Manastirit të Deçanit ishte një vendim i vështirë, por se kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor.
Konjufca ka takuar kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së Këshillit të Evropës, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, Bertrand Bouyx, me të cilin foli edhe për këtë vendim.
Ata diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës. Bouyx shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës, duke u shprehur optimist se ky proces do të përfundojë me sukses.
Konjufca ka shtuar anëtarësimi në KiE do të jetë fillimi i angazhimit në fushën e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, u tha në komunikatën e përcjellë nga Zyra e kryeparlamentarit.