LAJME

LVV në Prizren kritikon pjesëmarrjen e stafit komunal në protestë: Administrata nuk është pronë e kryetarit

LVV në Prizren kritikon pjesëmarrjen e stafit komunal në protestë: Administrata nuk është pronë e kryetarit
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Shtator 2026, 10:47

Lëvizja Vetëvendosje!, Qendra në Prizren, ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e stafit administrativ të Komunës së Prizrenit në protestën e sotme të kryetarëve të komunave.

LVV ka kritikuar përfshirjen e stafit komunal në protestë, ku mori pjesë edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, duke vlerësuar se institucionet publike dhe administrata komunale nuk duhet të përdoren për aktivitete apo beteja partiake.

“Institucionet publike dhe administrata komunale nuk janë pronë e kryetarit të komunës dhe nuk mund të trajtohen si mekanizëm mobilizimi për aktivitetet dhe betejat partiake”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas kësaj partie, shërbyesit civilë paguhen nga qytetarët për t’u shërbyer atyre dhe duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë detyrën e tyre profesionale, pa presion apo udhëzime politike.

LVV ka ngritur edhe pyetje lidhur me pjesëmarrjen e punonjësve komunalë në protestë, duke kërkuar nga kryetari Totaj të sqarojë nëse ata janë liruar apo udhëzuar për të marrë pjesë.

“Kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore dhe kush ka dhënë urdhër që administrata ta lërë vendin e punës?”, pyet LVV në reagimin e saj.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar pushtetin e PDK-së në Prizren se, sipas saj, po e trajton Komunën si “zgjatim të pushtetit partiak”.

Në fund të reagimit, LVV ka theksuar se Komuna është e qytetarëve. Administrata është në shërbim të qytetarëve. Jo të partisë dhe jo të Kryetarit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika