Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur të papërgjegjshme Ministrinë e Arsimit.
Ajo ka thënë se kanë mbetur edhe katër ditë para fillimit të mësimit por janë 200 mijë nxënës që ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Lushaku-Sadriu përmes një reagimi ka deklaruar tutje se ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur dhe nuk do të duhej të poshtëroheshin prindërit në këtë mënyrë.
“Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat! Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.





