Në fund të marsit të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash raportin për Kosovën, ku iu bë thirrje Këshillit të Evropës që të marrë vendim për heqjen e vizave për kosovarët, duke thënë se vendi ynë i ka përmbushur kushtet për të tejkaluar një proces të tillë.
Nga institucione të ndryshme të BE-së është thënë disa herë se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, por ky proces po del të jetë më kompleks dhe sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare nuk ka të bëjë vetëm me kushtet.
Një nga vendet anëtare të BE-së që po e kundërshton fuqishëm liberalizimin e vizave është Franca dhe sipas burimeve nga Brukseli një vendim për vizat nuk pritet të merret të paktën deri në prill të vitit 2022, kur në Francë do të mbahen zgjedhjet presidenciale, shkruan Zeri.info.
“Diplomatët francezë na thonë privatisht se regjimi i vizave të BE-së për Kosovën nuk mund të hiqet para zgjedhjeve në Francë (2022) dhe as nuk mund të hapen negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë”, ka thënë një diplomat në Bruksel për “Dtt-net.com”.
“Ta heqim vitin 2021 nga pritjet tona për vizat”
Edhe njohësit e rrethanave në Kosovë thonë se gjasat janë reale që liberalizimi i vizave të lidhet me zgjedhjet parlamentare në Francë.
Demush Shasha, nga instituti EPIK, ka thënë për “Zërin” se duke parë zhvillimet e fundit në shtetet e BE-së, ku janë rivendosur kufijtë mes shteteve anëtare për shkak të pandemisë, kjo e bën edhe më të vështirë liberalizimin e vizave për Kosovës, ndërsa thotë se edhe burimi i cili lidh këtë proces me zgjedhjet në Francë të vitit 2022 mund të jetë real.
“Gjasat janë reale që ky skenar të materializohet. Në veçanti në kushte të pandemisë dhe në një kontekst ku vetë Gjermania është duke rivendosur kufijtë me vendet anëtare të BE-së, siç janë Austria dhe Çekia. Prandaj, duhet të jemi realistë dhe të heqim vitin 2021 nga pritjet tona. Në vend të kësaj duhet të punojmë me zell në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në rezultate konkrete në luftën e korrupsionit të nivelit të lartë, duke adresuar kështu skepticizmin e disa vendeve anëtare siç janë Franca dhe Holanda”, ka thënë Shasha.
Se liberalizimi i vizave është akoma larg e thotë edhe analisti Artan Demhasaj.
Demhasaj, drejtor në organizatën “Çohu”, thotë se ky proces nuk është as në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së, që është institucioni i fundit ku duhet të merret vendimi për liberalizim vizash.
“Momentalisht as që është duke u diskutuar në agjendë të BE-së çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse ka kaluar në të gjitha institucionet tjera, tash ka mbetur vetëm te vendimmarrja kryesorja te Këshilli i Ministrave. Ata nuk e kanë vendosur në agjendë dhe mendoj se nuk do ta vendosin”, ka thënë Demhasaj.
Liberalizimi i vizave, “karrem” për dialogun
Liberalizimi i vizave duket se nuk ka të bëjë direkt vetëm me kushtet, pasi ky proces po varet edhe nga procesi i dialogut, që Kosova po e zhvillon me Serbinë në Bruksel, për çka nuk dihet se kur do të rinisë.
Shasha thotë se përveç luftës kundër korrupsionit, Kosova duhet të bëjë progres edhe në dialogun me Serbinë, për të afruar kështu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.
“Paralelisht me fushën e sundimit të ligjit, duhet bërë progres edhe në dialogun me Serbinë. Nëse ka progres te mjaftueshëm në këto dy fusha, atëherë do të krijohen kushtet për një vendim pozitiv në kuadër të BE-së”, thotë Shasha.
Për Demhasajn liberalizimi i vizave po përdoret edhe si “karrem” për procesin e dialogut, ku do të përdoret që Kosovës t’i jepet si favor në rast të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“Unë mendoj se vizat nuk kanë të bëjnë direkt me Francën, mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me një si lloj ‘karremi’ për dialogun, që në rast se tentohet të arrihet marrëveshja finale dhe Kosova ngul këmbë, Kosovës i jepet si favor liberalizimi i vizave në këmbim të diçkaje. Mendoj se liberalizimi nuk ka ndodhur, pasi e kanë mbajtur si shkop mbi Kosovën për çështjen e dialogut”, ka thënë për “Zërin” Demhasaj.
Ai thotë se Ministria e Jashtme e Kosovës, përveç vizave, duhet ta ketë prioritet edhe shtimin e njohjeve dhe depolitizimin e misioneve diplomatike, duke emëruar njerëz profesionistë nëpër këto misione.
“Zëri” ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Jashtme për këtë çështje, por nuk është kthyer përgjigje edhe gati një javë pas dërgimit të pyetjeve. /Zëri