Shumë e dashura bija ime,
Mirë se vjen në këtë botë! Jeta, të cilën po e fillon është shumë e bukur, pavarësisht se do të takosh njerëz që do të ta thonë të kundërtën. Do ta shohësh vetë, mirëpo do të tregojë edhe historia, se gratë jo çdo herë janë trajtuar me drejtësi. Por, ajo po ashtu do të tregojë se shumë gra, nuk e pranuan nënshtrimin dhe luftuan për ta caktuar vetë fatin e tyre. Ndiqe shembullin e tyre! Asnjëherë mos e lejo që dikush të të tregojë për vlerat e tua dhe nënshtrohu vetëm para vullnetit tënd. Kërkoje të drejtën tënde gjithmonë e kudo dhe, nëse po vëren se dikush, kushdoqoftë, po të bënë ndonjë padrejtësi, mos e lejo!
Unë do të mundohem me mish e shpirt, të të rrisë me nder e dinjitet. Do të mundohem vazhdimisht të bëjë më të mirën për ty, mirëpo kur ti mendon se ajo çfarë unë e shoh si të mirë për ty, nuk është e tillë, mos ngurro të më përmirësosh. Nëse arrin të kundërshtosh prindërit, si autoriteti i parë që janë, do të jesh në gjendje të kundërshtosh gjithë botën, kur mendon se nuk ka të drejtë. Bijë e dashur, gjatë jetës do të hasësh në shumë sfida, mirëpo asnjë nga to nuk e zbeh bukurinë e saj. Përkundrazi, i japin kuptim asaj! Secila prej tyre do të mësojë diçka të re dhe do të bëjë më të fortë. Do të dëgjosh shumë që do të të flasin keq për të tjerët. Por, ti, asnjëherë mos u ndiko nga ata dhe përpiqu gjithmonë që mendimin për ta, ta ndërtosh në bazë të bindjeve dhe gjykimeve tua.
Bijë, të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit, prandaj, mundohu t’i respektosh pa dallim, pavarësisht nëse pajtohesh apo jo, nëse i takojnë fesë, kombit tënd apo ndonjë feje a kombësie tjetër. Ndershmëria, mirësia, mëshira, mirëkuptimi, respekti, toleranca dhe butësia, janë veshja që do të të rrijë më së miri. Megjithatë, tregohu vigjilente, sepse dikush mund t’i shoh si dobësi këto vlera.
Përpiqu gjithmonë dhe gjithkund të jesh e mirë dhe vetëm e mirë!
Zoti të bekoftë me shëndet të mirë, fat dhe jetë të gjatë!
Shkruan: Lirim Berisha