Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Lendrit Iljazi, ka njoftuar se një projekt i rëndësishëm për të rinjtë, sportistët dhe të gjithë qytetarët e komunës së Dragashit, i cili për vite me radhë kishte mbetur vetëm në gurthemele sipas tij, tashmë po merr drejtimin e duhur drejt realizimit.
Iljazi bën te ditur se me një investim të planifikuar prej rreth 3.5 milionë eurosh për vitet 2027–2029, po i jepet fund një mungese shumëvjeçare të infrastrukturës sportive në këtë komunë.
“Si dikush që vjen nga kjo komunë, ky projekt ka një rëndësi të veçantë për mua. Është kënaqësi dhe përgjegjësi të kontribuoj në realizimin e investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendlindjes sonë.” – theksoi ai.
Ai falënderoi ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, për mbështetjen dhe përkushtimin në avancimin e këtij projekti, si dhe deputetin Filiz Mustafa, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe angazhimin e përbashkët në shtyrjen përpara të këtij investimi të rëndësishëm për Dragashin.
“Sharri meriton më shumë investime, më shumë mundësi për të rinjtë dhe infrastrukturë sportive moderne!” – shtoi Iljazi.