Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku së bashku me anëtarët tjerë të këtij subjekti politik, familjarë të dëshmorëve dhe veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me homazhe sot nderuan të rënët për liri në betejën e Koshares.
“Në Koshare, historia nuk është shkruar. Është çarë. Mu siç u ça edhe një kufi që djemtë tanë më të mirë refuzuan ta pranojnë si fakt historik. Ai kufi nuk i definonte. Ai kufi nuk ekzistonte. Tani, te shqiptarët, kufiri i pushtuesit është vetëm një vijë. Pa rrënjë në shpirt, pa vend në kujtesë, pa forcë mbi përkatësinë. Ai mund të vendoset me dhunë, të ruhet me armë, të vizatohet në harra e letra; por nuk bëhet kurrë pjesë e asaj që jemi. Sepse shqiptari nuk ndahet me vijë; ndahet vetëm kur harron. Dhe në Koshare, askush nuk harroi” – shkruan Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku e cilësoi këtë betejë si më të lavdishmen të historisë shqiptare të shekullit XX.
“Në mëngjesin e 9 prillit, 27 vite më parë. djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisën njërën nga betejat më të lavdishme të historisë shqiptare të shekullit XX. Akti i tyre i trimërisë ishte përgjigje ndaj thirrjeve të shumë brezave nëpër histori. Koha kishte ardhur. Fundja, liria nuk lind kur lejohet; lind kur merret. Sot nderojmë të gjithë të rënët; falënderojmë të gjallët. Kujtojmë heronjtë e Koshares, sakrificën në altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë na kujtojnë se sa rëndë peshon liria. Dhe pikërisht sepse peshon kaq rëndë, liria nuk mbahet me kujtime – mbahet me përgjegjësi. Përgjegjësi që të mos e ulim, të mos e harxhojmë, të mos e bëjmë të zakonshme. Përgjegjësi që çdo ditë të jemi të denjë për çarjen që ata bënë. Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares” – shtoi ai.