Katër sfida i sheh emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për integrimin e shteteve të Ballkanit në BE. Përderisa krizën në Bosnje e sheh si problemin më serioz, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, sipas tij, është sfida më e rëndësishme strategjike në rajon.
Në një intervistë për mediumin boshnjak “BUKA”, Lajçaku ka thënë se sfida më aktuale është për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që sa më shpejt të nisin bisedimet për anëtarësim në BE.
“I shoh katër sfida. Më urgjentja është për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të nisin bisedimet për pranim në BE sa më shpejt që të jetë e mundshme. Problemi më serioz është kriza në BeH. Sfida më e rëndësishme strategjike është normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse s’është për vetëm këto dy vende, por serbët e shqiptarët jetojnë në çdo shtet të Ballkanit dhe raportet mes Serbisë e Kosovës ndikojnë në bashkëpunimin rajonal, andaj zgjidhja e kësaj situate është e rëndësisë së madhe strategjike. Dhe sfida që mendoj se është më fondamentalja është pyetja se çka do të jetë në të ardhmen Ballkani”, ka thënë ai.
Për dialogun ai ka thënë se është çështje e ndjeshme. Megjithatë, sipas tij, ka pasur edhe rezultate konkrete nga ky dialog. Ai ka thënë se dialogu s’ka alternativë për progres në rrugën evropiane. Ka shtuar se tash pushtetet në dy shtetet janë me shumicë të fortë dhe se “po punohet që të takohemi për të prodhuar vendime konkrete”.
“Dialogu s’është i lehtë, por ekziston dhe besoj se do të shohim rezultate konkrete shumë shpejt. Eskalimi s’është në interes të asnjërës palë. Komuniteti ndërkombëtar është i qartë kur thotë se s’ka alternativë për dialogun dhe se s’ka devijime”, ka thënë Lajçaku.
Për angazhimin amerikan për dialogun, Lajçaku ka thënë se me administratën e Joe Bidenit Bashkimi Evropian ndan të njëjtin vizion për Ballkanin. Sipas tij, bashkë me Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për çështjet e Ballkanit, jepet një mesazh i përbashkët për Ballkanin se për këtë rajon s’ka asnjë agjendë tjetër pos asaj evropiane.
Që nga korriku, Kosova dhe Serbia s’kanë pasur takim në nivelin e lartë në kuadër të dialogut. Procesi ka ngelur pas bllokadave që ka bërë Serbia me kërkesën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në vizitën e fundit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se palët s’kanë gatishmëri për të dialoguar tash.