Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga Gjakova ka thënë se për shtetin është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca për kryeministër se të shkohet në zgjedhje.
Ai ka thënë se partitë siç i ka quajtur opozitare, PDK-në, LDK-në, AAK-në e NISMA-n, kanë në dorë të zgjedhin, ose siç ka pohuar qeverinë Kurti 2.5 deri në mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor ose qeverinë Konjufca 1 deri në prill.
Kurti ka thënë më mirë është vendi të ketë një qeveri afatshkurtër deri në muajin prill, dhe të votohet buxheti për vitin 2026, për çka siç tha ai Vetëvendosje është treguar gjeneroze, kurse ka akuzuar partitë tjera për bllokim e refuzim.
“Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara. Ne fituam zgjedhjet, por më shumë se zgjedhjet duam ta formojmë qeverinë, ne kemi 48 deputetë, dhe kemi më shumë deputetë se PDK e LDK bashkë”, ka deklaruar Kurti në një prononcim për TV Syri në Gjakovë, transmeton Reporteri.net.
