Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke arsyetuar koncept-dokumentin që i hap rrugë ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se me qeverisjen e tij, do t’i jepet fund epokës ku dominonte parulla “Rroga e vogël, fitimi i madh”. Këtë e ka deklaruar duke paralajmëruar ata që dikur “kishin duart në buxhetin e shtetit” e që “nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet”.
Një ditë pasi u miratua në Qeveri, Kurti ka thënë se me këtë është bërë hapi i parë i luftimit të korrupsionit.
“Në kuptimin e ngushtë, pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet. Shembull i tillë është kur pasuria që një person posedon nuk përkon me nivelin e të ardhurave të ligjshme mujore dhe veprimeve tjera të ligjshme. Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre. Zbrazëtira ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht. Rrjedhimisht shumë zyrtarë të lartë, e të tjerë të mesëm të lidhur me ta, kanë krijuar pasuri marramendëse duke keqpërdorur taksat e qytetarëve”, ka thënë ai në një video të postuar në Facebook.
Deri tash në Kosovë konfiskimi i pasurisë së paligjshme ishte rregulluar përmes Kodit Penal, atij të Procedurës Penale dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Aktualisht duhet të ketë aktgjykim dënues për t’i hapur rrugë konfiskimit të pasurisë. Sipas tij, këto s’kanë qenë të mjaftueshme për luftimin e korrupsionit.
“Vetëm në gjashtë vitet e fundit sekuestrimet kapin vlerën e 180 milionë Euro, ndërsa konfiskimet vetëm 3.5 milionë Euro. Kurse edhe pas kalimit të më shumë se një viti prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, ekziston vetëm një rast i identifikuar i zbatimit të tij në praktikë. Vetëm NJË rast. Ajo që kemi parë është hezitimi i organeve të rendit për të ndjekur pasurinë e paligjshme, aktakuza jo mirë të përgatitura dhe një zvarritje e gjatë e proceseve gjyqësore që ka bërë që shumë lëndë të parashkruhen dhe si rrjedhojë edhe të humbet mundësia për konfiskim. Me pak fjalë, ajo që kemi deri tash është një kod penal që nuk mjafton, ligje që nuk adresojnë dhe strategji që nuk kanë dhënë rezultat”, ka vazhduar Kurti.
Sipas tij, para vetes Qeveria kishte tri opsione dhe zgjodhi që në vend të vazhdimit të status quo-së apo përmirësimit të legjislacionit ekzistues të krijojë ligj të ri.
“Baza e koncept dokumentit që e kemi kaluar dje e që presim që shpejt të kthehet në ligj është krijimi i mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme pa një aktgjykim dënues, pra konfiskimi në procedurë civile e cila mund të iniciohet edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues. Kjo hap rrugën që pas konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndaj personit të dyshuar të ngrihet aktakuzë në fushën penale. Pra, ligji që po synojmë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme me bazë civile e plotëson legjislacionin për konfiskimin e pasurisë në fushën penale. Kështu, aty ku ligjet plotësojnë njëra-tjetrën do të kemi më shumë efektshmëri të shtetit ligjor dhe goditje të krimit dhe korrupsionit”, ka shtuar Kurti teksa ka thënë se ligji i ri s’do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore. “Ligji i ri nuk do ta prekë kornizën ekzistuese ligjore në fushën e konfiskimit. Në fakt, e gjithë korniza ligjore ekzistuese do të vazhdojë të mbetet në fuqi për të luftuar kriminalitetin. Për më tepër, konfiskimi civil do të shërbejë si mjet i fundit dhe nuk do përvetësojë, në parim, primatin e konfiskimit tradicional penal. Mënyra se si kjo do të funksionojë në praktikë do të varet nga procesi i mëtejshëm i draftimit të ligjit, por ajo që do të ruhet është se ligji i ri duhet të mundësojë që kur dyshohet se pasuria e përvetësuar është bërë në rrugë joligjore atëherë duhet të mundësohet veprimi për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme në rrugë civile”.
Kurti ka paralajmëruar themelimin e një agjencie të re joprokuroriale, e cila, sipas tij, synon të jetë e specializuar për luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme. Ka thënë se kjo agjenci do të jetë e pavarur.
“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!” ka thënë Kurti.
Në postimin e tij, ai ka paralajmëruar të gjithë “ata që kishin duart në buxhetin e shtetit” e që “nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot”.
“Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar. Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë”, ka përfunduar ai.