Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, se në takimin e para dy ditëve, i është përshtatur më shumë qëllimit të Serbisë për çështjen e targave ilegale. Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se ndërmjetësit kanë hequr nga agjenda e takimit me presidentin e Serbisë çështjen që me urgjencë të kishte përqendrim në propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Ai ka thënë se në ftesën e Borrellit për takim ishin katër paragrafë, në të cilin i pari dhe i treti ishte për përqendrim në propozimin e Bashkimit Evropian, e të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim marrëdhëniesh.
“Në të tretin thirrej për nisje të menjëhershme për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur marrëveshje para marsit të vitit 2023”, ka thënë Kurti duke shtuar se e ka mirëpritur propozimin.
“Pas takimit që patëm atje, Borrelli fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit. Në kundërshtim nga parimi i propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se fillimisht propozimi ka qenë vetëm që Kosova të pezullojë fazën e dytë të vendimit për gjobitje të atyre që bartin targa ilegale. Megjithatë, Kurti ka shtuar se Kosova u pajtua që t’i jepte hapësirë propozimit, ashtu që Serbia të ndalte regjistrimin e veturave me targa ilegale. “Propozimi u pranua dhe besoj se ishte e arritur e rëndësishme e takimit”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në fund ka pasur edhe një propozim të ri, por që është refuzuar nga Serbia e në të njëjtën kohë Borrelli mbante konferencë për media duke kritikuar Kosovën.
Ai ka thënë se komuniteti serb në Kosovë është më i mbrojturi dhe më i privilegjuari në Kushtetutë. Sipas tij, të drejtat për pakica, siç ofron Kushtetuta e Kosovës, nuk ofrohen as në kushtetuta të shumë shteteve të avancuara të BE-së.
“Vendimi ynë për targat nuk mund të jetë objekt negocimi, është vendim i Qeverisë. Ne kemi dashur t’u japim shans kohës së implementimit. Tri javët e para qortime asnjë incident, dy muaj gjobitje, jo konfiskim. Ne nuk e negociojmë vendimin”, ka thënë ai. “6 muaj është negociuar për targat, e në fund kanë qenë 8 opsione. Nja tri kanë qenë më të përshtatshme për ne 5 jo, por Serbia s’e ka pranuar asnjë. Ne luteshim të mos vinte puna te ato pesë, por tek këto tri por nuk erdhi tek asnjëra. Vendimi ynë erdhi 2 muaj pas negociatave 6-mujore. Ne nuk kënaqemi derisa gjobisim. Nuk është dëshirë, është detyrë”, ka shtuar Kurti.
Ai ka shtuar se është kritik ndaj BE-së, por “jo i hidhëruar”.
“Unë jam çdoherë i gatshëm t’i përgjigjem ftesës për takime që për temë kanë marrëveshjen finale”, ka deklaruar ai.