Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kongresisten Elissa Slotkin në Uashington D.C. me të cilën ka diskutuar për marrëdhënien e veçantë mes të dyja vendeve, zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe sigurinë e rajonit pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Kurti e njoftoi kongresisten Slotkin për vendimet, politikat dhe rezultatet kryesore të qeverisjes së deritanishme, me theks te rritja ekonomike dyshifrore, luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i indikatorëve të demokracisë sipas vlerësimeve të raporteve të organizatave ndërkombëtare. Ai shtoi se duke iu bashkëngjitur botës demokratike në dënimin e agresionit rus dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe duke strehuar qytetarët afganë në Kosovë, Kosova ka treguar lidership dhe ka dëshmuar se është partnere e besueshme e aleatëve të saj.





