Kyreministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar letrën dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtares Ekaterina Trendafilova, për lirimin e përkohshëm të të akuzuarve në burgun e Hagës, në shtator të vitit 2022.
Kurti ka thënë se arsyeja pse ata ndodhen ende në paraburgim vazhdon të jetë “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.
Sipas Kurtit, nuk ka arsye ligjore e as morale që Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi të mbahen edhe më tej në paraburgim.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se arsyeja e vetme që po e publikon sot këtë letër është sepse beson se “është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”.
“Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, shkruan tutje Kurti.
Më poshtë mund të gjeni të bashkëngjitur letrën e plotë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtares Ekaterina Trendafilova:
“E nderuara Gjyqtare Trendafilova,
Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes, sot na kujtohen të gjitha gjërat që vendi ynë ka kaluar dhe të gjitha gjërat që është përpjekur të arrijë që nga lufta e fundit: jo vetëm paqe, por edhe liri, barazi, unitet dhe integrim, të vërtetë dhe drejtësi.
Ju drejtohem pikërisht në këtë ditë sepse shumë herë ndihet sikur historia po rrëshqet, po harrohet dhe po sulmohet nga gënjeshtrat, dezinformatat dhe fushatat e këqija
Një nga shqetësimet tona janë Dhomat e Specializuara, gjykata që u krijua në vitin 2015 dhe që filloi punën e saj me aktakuzat e para në vitin 2020. Në fillim të nëntorit do të shënojmë dy vjet që kur personat e akuzuar më së fundmi nga Kosova po mbahen në paraburgim në Hagë, disa prej tyre edhe për më gjatë.
Disa muaj më parë pata mundësinë të takohesha me të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe të dëgjoja nga afër ankesat, kërkesat dhe shqetësimet e tyre në lidhje me të gjithë procesin. Kjo është arsyeja pse po ju shkruaj drejtpërdrejt për të ndarë dhe adresuar këto shqetësime që janë me rëndësi të madhe, për popullin tonë, për familjet e të akuzuarve, për sistemin e drejtësisë dhe, do të supozoja, edhe për vetë gjykatën.
Për hir të efikasitetit, do ta përqendroj letrën time në dy çështje shumë të rëndësishme: dekontekstualizimin e aktakuzës nga lufta në Kosovë, përkatësisht krimet e tmerrshme të kryera nga Serbia, dhe çështjen e lirimit të përkohshëm
E shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju bërë thirrje që ta zhvendosni fokusin monoetnik të gjykatës dhe ta riktheni në kontekstin e saj luftën e Kosovës. Nëse Dhomat e Specializuara u krijuan për të adresuar krimet e kryera gjatë luftës, pse nuk po hetohen krimet e tmerrshme të kryera në Prekaz? Apo masakra e Mejës, masakra e Reçakut dhe qindra masakra të tjera në të cilat mijëra shqiptarë u vranë, u dogjën dhe më pas u hodhën në varre masive?
Dikush mund të ndiejë nevojën për t’iu përgjigjur kësaj me “Gjykata po heton akuzat nga Raporti i Dick Marty-t”. Por procesi po tregon se kjo nuk është e saktë. Në momentin që u publikuan aktakuzat, iu bë e qartë të gjithë atyre që merreshin me procesin se asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë fare me Raportin e Dick Marty-t, duke vënë kështu automatikisht në pikëpyetje pretendimin se për këtë është themeluar kjo gjykatë
Lidhur me lirimin e përkohshëm, kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur të akuzuarit mbahen në paraburgim. Kjo ka qenë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre, veçanërisht për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin shpesh të dashurit e tyre. Dhe kur kanë mundësi, procesi i mbledhjes së dokumenteve, aplikimit për vizë, marrjes së vizës vetëm për një numër të caktuar ditësh dhe mundësisë për të fluturuar përmes Vjenës për të shkuar në Hagë çdo muaj, ishte dhe është ende i mundimshëm.
Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërsa presin gjyqin, pasi Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë arrestin e tyre shtëpiak nëse është e nevojshme.
Për ta bërë këtë proces më të lehtë për familjet, si dhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin e përkohshëm të të gjithë të akuzuarve.
E nderuara Gjyqtare Trendafilova, shpresoj sinqerisht se do ta trajtoni këtë letër me të njëjtin seriozitet me të cilin e kam shkruar, që është shqetësim për njerëzit e vendit tim, familjet e të akuzuarve, si dhe për sistemin e drejtësisë.
Pres me padurim të dëgjoj nga ju.
Me respekt,
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës”

