LAJME

Kurti priti në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Dr. Duversin

Kurti priti në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Dr. Duversin
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Maj 2026, 10:14

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Dr. Frédérique Duversin.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi Dr. Duversin për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë. Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë.

Siç bëhet e ditur, gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone.

Po ashtu, thuhet se u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.

Në njoftim thuhet se në takim u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika