LAJME

Kurti pas takimit me deputetët e komuniteteve: Ecim tutje bashkë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja

Kurti pas takimit me deputetët e komuniteteve: Ecim tutje bashkë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Shtator 2026, 19:58

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se me deputetët e komuniteteve ka biseduar që t’i evitojnë zgjedhjet e reja, pas marrëveshjes që LVV arriti me LDK-në për Bekim Sejdiun kandidat për president.

Kurti i takoi deputetët Emilija Rexhepi, Fikrim Damka, Elbert Krasniqi dhe Nenad Rashiq sot, më 02.09.2026, pas takimi që zhvilloi me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

“Ky takim me grupin multi-etnik është aranzhuar më herët. I njoftova për bisedimet që kam pasur, për marrëveshjen politike që kemi bërë me LDK-në për emrin e përveçëm të presidentit, për profesor Bekim Sejdiun. Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet për shkak se 6 deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje, ndonëse dakordimi ka qenë që të negociohet me vullnet të mirë.” – ka thënë Kurti.

“I falenderova për kontributin që japin, për angazhimin që e bëjnë dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, tash që kemi marrëveshje.” – ka shtuar ai.

Pas takimit me Abdixhikun Kurti nuk u deklarua për media dhe për këtë takim tha se ishte informuar për situatën aktuale në LDK nga Abdixhiku.

“Po shkoj edhe në konsultime të brendshme me kryesinë e Vetëvendosjes. Nga kryetari Abdixhiku jam informuar për situatën aktuale që është në subjektin e tij, gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimin që kam pasur me grupin parlamentar të LVV-së.” – tha Kurti.

Emilija Rexhepi, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, e ka publikuar një fotografi nga takimi me Kurtin dhe ka shkruar “ecim tutje.”

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika