Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar drekë për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe stafin e tij në shënim të Ditës së Falënderimeve.
Dita e Falënderimeve në kulturën dhe traditën amerikane festohet mes familjarëve dhe miqve të afërt.
“Sot në Prishtinë, kryeministri Kurti këtë ditë të rëndësishme e shënoi me një drekë mes miqsh, në nderim të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve, popujve të të dy vendeve dhe bashkëpunimit me ambasadorin Hovenier, ambasadën amerikane dhe qeverinë amerikane”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për rolin vendimtar, angazhimin e pandërprerë dhe mbështetjen e palëkundur të ShBA-ve për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin e tij.