Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varret e dëshmorëve të familjes Lleshi të rënë gjatë luftës së fundit çlirimtare në vitet 1998 dhe 1999.
Katër dëshmorë nga kjo familje, Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi dhanë jetën në qëndresë kundër okupatorit më 7 gusht 1998, ndërsa pas pak muajsh, në 28 janar 1999, ranë në betejë edhe dy dëshmorë të tjerë nga kjo familje, vëllezërit, Prenë dhe Memë Lleshi.
Po nga kjo familje patriotike, Dedë Pashk Lleshi dha jetën në vitin 1944 duke luftuar okupatorët serbë.
Gjatë nderimeve për ta, në fshatin Vraniq të Gjakovës, kryeministri Kurti, tha se këta dëshmorë janë krenaria jonë, ndërsa puna jonë ka për të pasur vlerë vetëm nëse arrijmë ta përmbushim sado pak amanetin e tyre.
“Familja Lleshi, familja Jashari, familja Haradinaj, dhjetëra familje të tjera e qindra shqiptarë që sot i nderojmë si dëshmorë, janë shkëmbi ku mbështetet i palëkundshëm projekti jonë, projekti i nisur me Lidhjen e Prizrenit,” tha kryeministri Kurti.
Në këtë vizitë për homazhe në fshatin Vraniq të Gjakovës, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha.