LAJME

Kurti mori pjesë në pritjen për Ditën Kombëtare të Francës, vlerësoi mbështetjen franceze për Kosovën

Kurti mori pjesë në pritjen për Ditën Kombëtare të Francës, vlerësoi mbështetjen franceze për Kosovën
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Korrik 2026, 07:21

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Francës.

Me këtë rast, Kurti uroi ambasadorin francez Olivier Guérot, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës dhe duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se Kosova, e lindur nga lufta për liri dhe drejtësi, ka zgjedhur demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si themele të shtetit, ndërsa nënvizoi se Franca ka qenë një mike dhe aleate e rëndësishme në momentet vendimtare për vendin.

Kurti rikujtoi se Franca qëndroi pranë popullit të Kosovës gjatë luftës, njohu pavarësinë e vendit një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të mbështesë forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës po thellohet përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, duke e cilësuar integrimin evropian si një zgjedhje demokratike dhe strategjike të Kosovës.

Në fund të fjalës së tij, Kurti falënderoi ambasadorin Guérot për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij diplomatik në Kosovë, duke i uruar suksese në detyrën e radhës dhe duke theksuar se Kosova do të mbetet gjithmonë një vend mik për të.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika