Ish-kryeministri i Kosovës nga Vetëvendosje, njëherit kandidat për të parin e qeverisë, Albin Kurti, ka thënë se njësia speciale nuk ishte në përcjellje të tij, në ditën kur në Skenderaj nuk u mirëprit nga disa qytetarë.
Ai tha se në Drenicë ishte vetëm me një veturë të policisë, ndërsa sipas tij i ka kuptuar qytetarët që e gjuajtën me gjësende.
“Kurrfarë njësie speciale nuk më kanë përcjellur mua, unë kam shkuar me një veturë të policisë, siç kam shkuar gjithmonë. Me atë veturë sot isha edhe në Ferizaj, unë po kthehem direkt këtu nga atje. Kishim paralajmëruar një takim me qytetar atje (në Skenderaj), ai ishte i mbushur përplotë dhe sa më përket mua, gjatë tubimit atje, ishte thjeshtë – ishte lokali i vogël për numrin e madh që merrnin pjesë, kam dëgjuar zhurmë përjashta, më kanë gjuajtur me gjësende, por ju e dini që unë e kuptoj, ndonëse nuk e mirëkuptoj sikletin e kundërshtarëve dhe të atyre që fatkeqësisht ju shërbejnë atyre”, ka thënë Albin Kurti në Debat Pernime.





