Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe tek vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, me rastin e 26-vjetorit të rënies së tyre.
Kurti ka thënë se historia nuk është e largët dhe se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë.
Ai ka shtuar se duhet forcuar ushtrinë, policinë dhe të mbrohet “çdo metër katror i territorit”.
“Teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, është shprehur Kurti.