Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, në përkujtim dhe nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:
“Sikurse edhe çdo vit tjetër, me 11 shtator bashkë me Presidenten dhe Kryeparlamentarin, bëjmë homazhe dhe vendosim lule të freskëta këtu tek pllaka përkujtimore në oborrin e përbashkët të Qeverisë e të Kuvendit, që i dedikohet viktimave të sulmit terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur 19 terroristë të Al-Kaidës, me katër avionë, vranë 2977 amerikanë, në mesin e të cilëve, siç tha edhe kryeparlamentari, tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, të cilët janë gjithashtu viktima të këtij sulmi mizor terrorist, i cili i ndryshoi edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe paralajmëroi rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull.





