Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen spektik se këtë vit Kosova do të marrë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave, pasi ata po konsiderojnë pengesë mosdefinimin e marrëdhënieve Kosovë-BE në aspektin kontraktual , si dhe mungesën e luftës kundër korrupsionit.Lidhur me deklarimet e fundit të zyrtarëve të BE-së ku sipas tyre Kosova duhet të bëjë vetë përpjekje për njohje dhe liberalizim vizash, e ku madje disa shtete të saj po e kontestojnë mundësinë që Kosova është e gatshme për liberalizim vizash, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), në një intervistë për Ekonomia Online i konsideron këto deklarata si qëndrime konsistente, e madje sipas tij, Kosova nuk ka shënuar progres në këtë drejtim.“Këto janë qëndrime konsistence, disa vende anëtare tashmë një kohë të gjatë, në veçanti Franca, e cila tani më edhe zyrtarisht ka konfirmuar që nuk konsideron se Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave, me theks të veçantë në çështjen e sundimit të ligjit, respektivisht luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, tha Shasha.
Në këtë drejtim, thotë ai, shtetet sikur Franca thonë që kanë kaluar pesë vjet, prej kur Kosovës i ka kërkuar progres në këtë fushë dhe pas pesë viteve ka ende zero raste në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, dhe jo vetëm që Kosova nuk ka shënuar progres, por ka shënuar regres.
Tutje ai thekson që faji kryesor për mosliberalizim vizash i takon institucioneve të Kosovës, sepse kanë pasur një mundësi të mirë në vitin 2016 që të përfitojnë së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.“Fillimisht duhet thënë që faji për mosliberalizim të vizave i takon institucioneve të Kosovës, sepse BE-ja ja ka hapur derën Kosovës që të përfitojë nga liberalizimi i vizave në vitin 2016, dhe që atëherë Kosova e ka pasur mundësinë e artë, që së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjinë të përfitojë nga liberalizmi i vizave, dhe ato dy shtete përfituan ne mbetëm mbrapa, për fajin tonë sepse në mes thyerjes dhe izolimit për qytetarët e Kosovës dhe një çështje sikur demarkacioni ne zgjedhëm demarkacionin”, thekson ai.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, edhe Afrim Hoti në një intervistë për EO tha që procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur pasi që marrëdhënia Kosovë-BE nuk është definuar në kontekstin kontraktual.“Definitivisht procesi po bëhet i bezdisshëm, dhe në pika të caktuara këtu e kam fjalën kryesisht për Bashkimin Evropian, ku po humbet kredibiliteti për faktin që Kosova në mënyrë të vazhdueshme është përballë me kushte e parakushte të tjera ndërkohë që asnjëherë nuk ka marrë rezultatin që ka merituar. Mbi këtë bazë jemi i vetmi vend që sot as nuk kemi raporte kontraktuale dhe as nuk kemi raporte të qartësuara me BE-në, që praktikisht këto janë argumente që po e përmbyllin në fakt atë proces që ne po i themi dialog. Është definitivisht e rrugës dhe është e dëshirueshme që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur, për faktin që kemi një administratë të re në ShBA, dhe kemi një qeveri të re në Kosovë”, tha Hoti.