Nga muaji i ardhshëm, faturat e energjisë elektrike pritet t’u vijnë më të shtrenjta qytetarëve. Kjo pasi Zyra e Rregullatorit për Energji ka propozuar rritje prej rreth 15 për qind. Ky propozim po kundërshtohet nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta.
Për këtë tashmë në rrjetet sociale ka nisur edhe fushata “Asnjë cent më shumë”. Qytetarët thonë se durimit i ka ardhur fundi.
“Çmimet sikur të kishin qenë normale në të gjitha sferat, edhe këtë çmim e kishim përballuar disi. Por, me 15 për qind është pak enorme. Është shqetësuese kur dihet edhe tek konsumet tjera janë rritur çmimet”, tha Bekim Jashari, qytetar.
Shpend Maxhera, po ashtu qytetar, tha se vetëdijesimi i qytetarëve duhet rritur tutje e duhet të jenë aktiv të bëjnë presionin e duhur që qeveria të kujdeset me shumë për mirëqenien. “Sepse po shohim çdo ditë se edhe çmimet e shportës bazike janë në rritje non- stop. Unë mendoj që duhet një aktivizim më i madh i qytetarëve”, tha ai.
Ndërkaq, qytetari, Adrian Maliqi, tha se çmimet duhet të jenë në bazë të të ardhurave të qytetarëve. “Shqetësuese është për të gjithë, sidomos për ata që janë me paga më të ulëta”, tha ai.





