Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, gjatë protestës së sotme të Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, doli për t’i takuar nga afër protestuesit dhe më pas i priti në takim përfaqësuesit e tyre.
Sipas një komunikate për media, biseda u zhvillua me përkushtim dhe mirëkuptim, me synimin për të gjetur zgjidhje të drejtë për pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së dhe për funksionimin e qëndrueshëm financiar të institucionit publik të transmetimit.
“Si kryetar i Kuvendit, kam dhënë mbështetjen time të plotë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi tashmë kemi një Kuvend funksional dhe ekziston mundësia ligjore për të vepruar në këtë drejtim. Të njëjtën qasje e kam mbajtur edhe në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, ku kam kërkuar formimin e trupave parlamentare, në mënyrë që të hapet rruga për Komisionin përkatës për Buxhet, i cili më pas do të mund të miratonte Raportin e Shpenzimeve të RTK-së dhe të mundësonte procedimin e mjeteve përmes Thesarit të Republikës së Kosovës”, theksoi kryetari Basha, duke informuar sindikalistët se subjekti Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë joserbe, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Nenad Rashiq, kanë shprehur mbështetjen e tyre për themelimin e Komisionit për Buxhet dhe miratimin e Raportit në këtë komision.
Megjithatë, shtoi kryetari Basha, kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme, pasi, siç tha ai, për themelimin e komisioneve parlamentare kërkohet pjesëmarrja e më shumë se gjysmës së deputetëve të Kuvendit, ndërsa për miratim nevojitet shumica e thjeshtë e tyre.
“Prandaj, në frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi, u bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve të tjera parlamentare që ta mbështesin këtë iniciativë, sepse votimi për komisione nuk është çështje politike, por çështje e funksionalizimit të institucionit publik të transmetimit dhe mirëqenies së rreth 700 familjeve që jetojnë nga puna dhe pagat e punëtorëve të RTK-së”, theksoi kryetari Dimal Basha.
