LAJME

Kryeministri Kurti ka pritur në takim kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam

Kryeministri Kurti ka pritur në takim kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Maj 2026, 18:38

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin bipartizan të dy kongresistëve amerikanë, Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.

Nga temat kryesore për të cilat foli kryeministri në detyrë Kurti, ishte mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon. Ai e falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.

Kryeministri në detyrë Kurti, vuri theksin edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme. Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit.

Para Prishtinës, kongresistët zhvilluan vizitë në Luginën e Preshevës. Në këtë kontekst, kryeministri në detyrë Kurti tha se duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika