Në 26-vjetorin e betejës së Rakocit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në manifestimin përkujtimor të organizuar në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në këtë betejë të lavdishme në mbrojtje të banorëve civilë.
“Nga viti i kaluar kur isha për homazhe këtu te ju në Kaçanik, më ka ngelur në mendje fakti që mes civilëve të vrarë më prill 1999, ishte edhe Nebih Livoreka, një burrë i lindur më 10 maj 1894, që kur u vra ishte veçse një muaj pa u bërë 105 vjeç. Pra ky njeri, Nebih Livoreka, që edhe Luftën e Parë Ballkanike, edhe Luftën e Parë Botërore, e Luftën e Dytë Botërore, i kishte përjetuar, e kishte shpëtuar e u kishte mbijetuar, të tre atyre luftërave që janë më të përgjakshme jo vetëm për Ballkanin, por për tërë botën, ishte vrarë nga forcat serbe këtu në Kaçanik, më 9 prill 1999”, tha kryeministri në fjalën e tij.
Për këtë rast, ai tha se shpërfaq më së qarti karakterin e regjimit serb dhe natyrë e luftës së kryer nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë: “Një shtet, forcat e armatosura policore dhe ushtarake të të cilit e vrasin një plak të moshuar 105 vjeçar, sikurse kanë vrarë edhe fëmijë disa muajsh e gra shtatzëna, është një shtet kriminal, me faje dhe përgjegjësi para drejtësisë dhe para historisë për gjenocid.”
Të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, gjatë luftës dhe para saj, deklaroi kryeministri, janë bërë me plan e me projekte, me qëllime politike dhe me synime të egra hegjemoniste, për të arritur një Kosovë të spastruar etnikisht dhe për të realizuar një Serbi të Madhe. Andaj, përballë një gjenocidi, brutaliteti dhe çnjerëzie, ai tha se ka vetëm një përgjigje dinjitoze: vendosja e drejtësisë si detyrim moral dhe universal ndaj çdo viktime dhe forcimi i shtetit sa më shumë e sa më shpejt me krejt çka mundemi dhe dimë.
“Me përgjegjësinë më të lartë, si institucionale ashtu edhe kombëtare, duhet të vazhdojmë me përkushtim trajtimin e krimeve të luftës, me drejtësi e para historisë. Të angazhohemi për paqe sot, për një jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit dhe për ata të cilët do ta trashëgojnë të ardhmen tonë. Teksa punojmë për t’u përballur me të kaluarën, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm institucionalë. Për herë të parë pas përfundimit të luftës, është miratuar Strategjinë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale dhe ka filluar Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i rifunksionalizuar dhe i ngritur edhe me kapacitete edhe me kuadro. Si shtet dhe si shoqëri, po ecim përpara drejt me vendosmëri, të bashkuar në përkushtimin tonë për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”, u shpreh ai.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! U kujtofshin përgjithmonë ndër breza.