Mëngjesin e hershëm të 21 prillit të vitit 1999, fshati Dragaçinë u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Po atë ditë 11 burra u hodhën të gjallë në pusin e fshatit, derisa gra e fëmijë po i mbanin të mbyllur duke i torturuar.
Dëshmitari i kësaj ngjarje rrëfen për Gazeta Blic, tmerrin që përjetuan atë ditë.
Rizah Trolli, tregon se dhjetë banorë të fshatit Dragaçinë dhe një nga fshati Duhël pasi u torturuan nga forcat serbe u hodhën të gjallë në pusin e fshatit.
Sikur të mos i mjaftonte krimi i bërë ata u munduan të fshihnin çdo gjurmë duke mbushur pusin me material ndërtimor.
Nga ana tjetër gratë dhe fëmijët i kishin ndarë në 3 grupe ku për 3 ditë rresht u mbajtën të mbyllur pa ngrënë e pirë.
“Jam dëshmitar që me 21 prill 1999 forcat serbe paramilitare kanë hyrë në fshatin tonë dhe e kanë zënë popullatën, ku burrat i kanë tërheq dhe i kanë gjuajtur këtu në pusin e fshatit për së gjalli. Familjet na i kanë ndarë në tri grupe, tri shtëpi dhe i kanë mbajtur tri ditë pa bukë. Fati që na mosha e re kemi ik nëpër male, nga kemi mujt me u strehu. E këta të vjetrit i kanë maltretu i kanë rreh dhe për së gjalli i kanë gjuajtur në pus të fshatit. Edhe një e kemi të fshatit Duhël, Nezir Përteshin, ai ka qenë musafir këtu me familje, të tjerët krejt të fshatit tonë kushëri, vëllezër, baballarë, stërgjysh e katragjysh. Deri në moshën 92 vjet ka pasur plak që është gjuajtur në bunar, edhe mu babën 82 vjet” thotë Trolli.
Pas 3 dite familjarët i kishin bartur në shkollën e Duhlës me qëllim që të ishin “cak” i bombardimeve të Nato-s. Por për fatin e mirë të tyre, kishin arritur të shpëtonin, e të niseshin për në Shqipëri.
“Pas 3 dite i kanë dërguar në shkollë të Duhlës, me qëllim me i gju NATO, me i bombardu, por fati i familjeve ka ardhur kryqi i kuq dhe një shoqe e një motrës medicionale të fshatit tonë i ka pa, e ka pyetur a ti qenke këtu a, po i ka thënë, ka thënë prisni pak se tash i dërgoj autobusat prej Suharekës dhe i ka tërheq prej shkollës së Duhlës, e i kanë nisur për Shqipëri”, u shpreh Trolli.
Pasi u tërhoqën forcat serbe, pas një muaji banorët u kthyen në vendin e tyre dhe kuptuan se 11 burrat që tashmë po i kërkonin, ndodheshin në pusin e fshatit.
Trolli rrëfen se pas një muaji e gjysmë kur edhe iu dolën në krah forcat e ushtrisë tonë dhe KFORI Gjerman arritën të nxjerrin kufomat me 5 dhe 6 korrik, ndërkaq i varrosën me 7 dhe 8 korrik.
“Pas një muaji kur ne jemi kthyer në fshat që janë tërhequr forcat, na kanë njoftuar prej Shqipërisë që këqyrni në pusin e fshatit i kanë gjuajtur aty. Atëherë kemi ardhur e kemi pastru, këtu e kam pasur do material ndërtimore e kanë shemë këtë bunarin dhe e kanë mbuluar me atë material ndërtimorë, kur e kemi pastru i kemi gjet kufomat aty. Pastaj i kemi nxjerr pas një muaji e gjysmë derisa ka ardhur edhe KFORI Gjerman i kanë verifikuar, na kanë ndihmuar edhe forcat e ushtrisë tonë, e përshëndes të ndjerin Sefedin Zogaj ai e ka dhënë një kontribut të madh që na ka ndihmu me i tërheq këto kufoma dhe i kemi varrosur”, thotë ai.
Kur kanë kaluar më shumë se 20 vite dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje me Serbinë, derisa kjo e fundit nuk kërkon falje për gjenocidin në Kosovë, Trolli thotë se institucionet tona shumë pak kanë punuar në këtë drejtim.
“Më e keqja është që institucionet tona shumë pak kanë punuar për këto gjëra. Askush nga komuna e Suharekës nuk ka ardhur këtu me marrë ndonjë shënim a diçka, ata është dashur me kohë me ardh me i marrë shënimet me dit se çka ka ndodhur. Me i ndjek ata njerëz, po nuk janë marrë me këto punë, as që janë lodh me këto punë edhe këqyre sot çka na ndodhi djemtë tanë që janë kanë ushtar i kanë marrë në Hagë në vend që na me i ndjek kriminelët ata neve po na i marrin djemtë më të mirë që kanë luftuar për këtë vend. Ne në serbi nuk kemi shku me luftu, ata kanë ardh në vendin tonë me na vra”, thotë Trolli.
E gabim më të madh në të gjithë këtë çështje, Trolli e konsideron themelimin e Gjykatës Speciale, për çka shprehet se nuk ka diçka më të rëndë se të mbahet në burg njeriu që shpalli pavarësinë e Kosovës.
“Gabimin më të madh e kanë bërë udhëheqësit tonë që e kanë pranuar këtë Gjykatë. Nuk e di qysh u mashtruan, gjykata është dashur të bëhet për serbët, jo për ne. Udhëheqësi e Kosovës i ka fajet, a ka sen më të keq se me marr një njeri që e ka shpall pavarësinë e Kosovës me mbajt në burg. Populli u dashtë me u qu krejt me mbrojt Hashim Thaçin, se njeri që ka luftu e ka udhëheq luftë mirë, krime s’ka bërë, e sot me nejt atje”, thotë ai.
Ai tutje shton se nuk duhet të ketë vazhdimësi të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa kërkuar falje kjo e fundit për të gjitha krimet e kryera në Kosovë.
Këta janë njëmbëdhjetë martirët që gjetën vdekjen në pusin e fshatit Dragaçinë të Suharekës më 21 prill të vitit 1999, të cilët ishin nga mosha 17 deri 90 vjeçare: Ymer Trolli 1908, Shahin Trolli 1917, Ukë Trolli 1924, Sejdi Trolli 1927, Haki Trolli 1943, Azem Trolli 1939, Tahir Trolli 1936, Sherif Trolli 1936, Nazif Trolli 1941, Isuf Trolli 1934 dhe Nezir Përteshi 1950.