Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe të cilët kanë dhënë dorëheqje të hënën.
Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka thënë se ky institucion do të përgatisë rekomandimin brenda aftit ligjor prej pesë ditë pune nga momenti i marrjes së kërkesës.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka thënë Elezi.
Deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.
Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serb do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.
Këto veprime kanë ardhur pasi qeveria e Kosovës filloi të zbatoi planin e saj prej tri fazash për regjistrimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës. /G.Kadrija/KSP