Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra është vetëm një hap larg një arritjeje historike. “Dardanet” do të zbresin sonte në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku do të përballen me Kroacinë në një ndeshje vendimtare për objektivat e tyre në garat ndërkombëtare.
Vajzat e Kosovës kanë zhvilluar një fushatë mbresëlënëse deri më tani, duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje. Fillimisht triumfuan bindshëm ndaj Gjibraltarit me rezultat 6:0, ndërsa më pas mposhtën Kroacinë me rezultat minimal 1:0. Forma e mirë vazhdoi edhe ndaj Bullgarisë, ku Kosova arriti dy fitore të rëndësishme, si në Sofje ashtu edhe në Prishtinë.





