Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, krerë dhe ish-krerë të institucioneve kanë dënuar dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Aty, u tha se historia e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm histori e vuajtjes por histori e forcës dhe guximit për të ruajtur të vërtetën.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se dhunimi seksual gjatë luftës u përdor si armë për të thyer shpirtin e popullit të Kosovës.
“Një ditë kur Kosova, përveçse për të kujtuar një krim të së kaluarës, mblidhet për të dëshmuar se kujtesa historike është përgjegjësi shtetërore, është përgjegjësi morale, por është edhe përgjegjësi njerëzore, sepse një popull që ruan të vërtetën me dinjitet për të gjetur të mbijetuarit me respekt dhe që ua mëson gjeneratave të reja historinë, pa frikë ndërton paqen më të vërtetë, në një shtet më të fortë për të ardhmen e vet.
Në ditë si kjo, ne përkulemi para dhimbjes, por nuk lejojmë që dhimbja të jetë fjala e fundit, sepse historia e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nuk është vetëm histori e vuajtjes, është histori e forcës dhe guximit për të ruajtur të vërtetën. Dhunimi seksual gjatë luftës u përdor si armë për të thyer shpirtin e një populli të tërë, por sot me praninë tonë, me kujtesën tonë dhe me zotimin tonë ne themi qartë: Ata nuk arritën ta thyejnë dinjitetin e grave dhe burrave të Kosovës, nuk arritën ta shuajnë të vërtetën dhe nuk arritën ta mposhtin forcën njerëzore që sot qëndron para nesh si dëshmi e gjallë e guximit”, tha Jahjaga.
Kurse, minstrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla theksoi se dhuna seksuale nuk ishte e rastësishme por u përdor si armë lufte, për të lënë plagë të thella.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte, ne nderojmë të gjithë ata që e përjetuan këtë krim të rëndë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhuna seksuale nuk ishte një pjesë e rastësishme apo një rezultat i rastësishëm i luftës. Ajo u përdor si armë lufte. U përdor për të poshtëruar, për të frikësuar dhe për të lënë plagë të thella, të cilat, po të jemi shumë të sinqertë, vazhdojnë të ndihen edhe sot. Për shumë vite mbi këto krime mbretëroi heshtja. Prandaj, sot ne nderojmë jo vetëm vuajtjen e të mbijetuarve, por mbi të gjitha guximin e tyre: guximin për të folur, guximin për të dëshmuar dhe guximin për të kërkuar drejtësi. Dhe si shoqëri dhe si institucione, falënderim i veçantë ju përket atyre të cilët guxuan të parët, u ekspozuan në publik, edhe folën për të gjithë ata që heshtën për një kohë të gjatë. Ndoshta heshtën edhe sepse mendonin që shoqëria dhe institucionet tona nuk do ta kuptojnë plagën e tyre, nuk do ta kuptojnë dhimbjen e tyre dhe do t’i gjykojnë ata në vend që t’i gjykojnë ata të tjerët të cilët i kryen këto krime”, tha Gërvalla.
Ndërsa, ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti u shpreh se ideja e viktimave seksuale nuk nis dhe nuk mbaron vetëm me njohjen e statutit të tyre.
“Sot ne të gjithë jemi këtu, ne jemi këtu sot me përkrahjen e një morali, nderi, respekti ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Ishte edhe mikja jonë, zonja Vasfije Krasniqi, e cila me historinë e saj dhe me kurajën që tregoi na kujtoi edhe njëherë forcën e jashtëzakonshme që kërkon kjo pjesë.
Ne nuk flasim në emër të saj, ne nuk flasim as në emër të të mbijetuarve të tjerë, por ne jemi këtu dhe ne dëshirojmë të kuptojmë se ideja e viktimave të dhunës seksuale nuk nis dhe nuk mbaron me definimin e thjeshtë të tyre, e as me njohjen e statusit të tyre specifik.
Në aspektin historik, kjo fazë që ka ndodhur në Kosovë e Serbisë nuk mund të jetë më shumë se një dëshmi e asaj çka ka ndodhur në botë, ku dhuna seksuale është përdorur si armë lufte. Kjo pikëpamje se dhuna seksuale nuk mbaron me heshtjen, por ajo do të vazhdojë ndër vitet e ardhshme për të mbijetuarat e të mbijetuarit, për familjet e tyre, edhe për gjithë shoqërinë”, tha Hoti./EO