EKONOMI

Kosova përfiton mbi 200 mln €, por rrezikon të humbë gati aq deri në fund të vitit

Kosova përfiton mbi 200 mln €, por rrezikon të humbë gati aq deri në fund të vitit
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Korrik 2026, 17:42

Bashkimi Evropian ka njoftuar miratimin e projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 – 2027, që kapin vlerën prej 180.5 milionë eurosh. Përveç tyre janë miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 25.9 milionë eurosh. Por Kosova rrezikon të humbë po aq mjete deri në fund të vitit nëse nuk përmbushen disa reforma në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së.

Egzona Mema

Bashkimi Evropian ka njoftuar se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë eurosh e po ashtu ka miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 25.9 milionë eurosh.

Vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Por korrespondenti i KOHË-s në Bruksel, Augustin Palokaj, vendimin e ka konsideruar si të vonshëm.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të nguten në përmbushjen e disa reformave pasi që disa mjete rrezikohen të humbin.

“Këto fonde janë nga pjesa e fondeve që ishin nën sanksione kur Kosova ishte e bllokuar pra është lajm i mirë se mund t’i përdorë, por Kosova duhet të nxitojë në përmbushjen e këtyre projekteve ta zërë hapin sepse është vonë. Këto janë mjetet e dedikuara për Kosovën nga IPA-ja dhe nuk përfshihen nga paketa e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Nga kjo pako Kosova rrezikon të humbë mjete pasi që shumë reforma që është dashur të përmbushën nuk janë përmbushur për shkak të krizës politike”, ka thënë Palokaj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se këto mjete pritet të investohen në disa fusha.

“Fondet do të mbështesin fushat prioritare të vendit: Mjedisi dhe klima – 44 milionë euro, Energjia – 34.5 milionë euro, Menaxhimi i kufijve dhe migrimi – 30.5 milionë euro, Konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi – 31.8 milionë euro, Qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE-në – 24.7 milionë euro, Sundimi i ligjit – 15 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Zbatimi i këtyre projekteve pritet të bëhet pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi.

E shkaku i krizës politike, Kosova tashmë ka humbur rreth 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ndërsa për shkak të vonesave në zbatimin e reformave rrezikon të humbë edhe 100 milionë të tjera deri në fund të vitit./koha.net/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika