Ministria e Financave e Kosovës dhe Banka Botërore kanë nënshkruar dy marrëveshje në vlerë prej 96 milionë euro.
Këto marrëveshje kanë për qëllim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë, ka bërë të ditur Ministria e Financave.
Kjo Ministri ka shpjeguar se marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) me vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), i cili përbëhet nga kredia prej 35 milionë eurove dhe granti prej 12 milionë eurosh.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se këto marrëveshje përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ato përmirësojnë qasjen në financa për bizneset dhe rrisin efikasitetin e tregtisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë sonë”- bëri të ditur Ministria.
Po kjo Ministri, transmetoi se Xiaoqing Yu, përfaqësuese e Bankës Botërore, “shprehu optimizëm” për zbatimin në kohë të projekteve dhe riafirmoi angazhimin e Bankës Botërore për thellimin e bashkëpunimit në nismat e ardhshme.
Sipas Ministrisë, këto projekte synojnë të mbështesin reforma strukturore dhe investime strategjike në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Projekti për Zhvillimin e Sektorit Financiar, do të mbështetesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve kyçe financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta”- njofton Ministria.
Kurse, projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar edhe më tej vendin me rrjetet dhe standardet europiane, njoftoi Ministria.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës është pa mbikëqyrje parlamentare për shkak të dekretit për shpërndarje të Kuvendit të cilin e ka shpallur presidentja, Vjosa Osmani, më 06.03.2026.
Për shkak se ky dekret ka përfunduar për interpretim në Kushtetuese, gjykata ka shpallur masë të përkohshme deri më 31.03.2026.