“Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptonte liri të plotë të lëvizjes, pasi liria e cunguar nuk është liri. Këtë gjë zëvendëskryeministri është duke e adresuar edhe me ndërmjetësit. Për në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa dyshim që ajo vlen”, ka thënë Kurti. “Veçse unë e kuptoj se nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”.
Serbia nuk është duke i njohur në të gjitha pikat kufitare të saj dokumentet e identifikimit që i lëshon Kosova. Pasi shumë kosovarë nuk u lejuan të hynin me letërnjoftime në pikëkalimet që Serbia i ka me shtetet e tjera, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo përbën shkelje të marrëveshjes.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë të martën se shqetësimi është përcjellë në Bruksel dhe nuk e ka përjashtuar aplikimin e masës së reciprocitetit.
“Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptonte liri të plotë të lëvizjes, pasi liria e cunguar nuk është liri. Këtë gjë zëvendëskryeministri është duke e adresuar edhe me ndërmjetësit. Për në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa dyshim që ajo vlen”, ka thënë Kurti. “Veçse unë e kuptoj se nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”.
Situata në kufijtë e Serbisë është krijuar në kohën kur Perëndimi ka kërkuar dinamikë të re në dialog. Kërkesa është bërë pak kohë pasi Serbia pranoi verbalisht t’i njohë dokumentet e identifikimit që i lëshon Kosova, sprapsje të cilën e bëri pasi Qeveria e Kosovës aplikoi masë reciprociteti.
Në funksion të shtytjes së dialogut, Gjermania dhe Franca u përfshinë në proces dhe këtë e ka mirëpritur të martën kryeministri Albin Kurti.
Pas ceremonisë së shënimit të 23-vjetorit të Policisë së Kosovës, kreu i Qeverisë ka thënë se angazhimi i këtyre dy shteteve në dialog do ta ndihmojë ndërmjetësimin e procesit nga Bashkimi Evropian.
“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhen Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të Republikës sonë që nga fillimi do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.
Por, njohës të dialogut e shohin përfshirjen e Gjermanisë dhe Francës si presion për palët, në mënyrë që të përkushtohen më shumë në arritjen e një marrëveshjeje finale.
“Këto kërkesa do të vazhdojnë edhe në të ardhmen derisa të arrihet një marrëveshje, pasi që shtetet evropiane, Gjermania e Franca, dhe jo vetëm ato, pothuajse e gjithë BE-ja, e shohin këtë kontest si problemi i fundi i pazgjidhur në rajon, prandaj edhe kërkojnë një marrëveshje finale që do të zgjidhte të gjitha çështjet e pazgjidhura mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).
Në BE nuk kanë dhënë detaje se cilat do të jenë çështjet që do të diskutohen këtë javë kur në Kosovë e Serbi do të qëndrojë emisari për dialogun, Miroslav Lajcak, i shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Zëdhënësi Peter Stano, në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, vetëm ka konfirmuar se Lajçaku dhe dy këshilltarët më 9 shtator do të takojnë ndaras kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dy ditë më parë, gjatë vizitës së veriut të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të ketë marrëveshje tjetër.
“Më në fund tema e ardhshme e madhe në agjendën tonë do të jetë formimi i Asociacionit dhe këtë do ta përmend njëjtë si në Leposaviq, Beograd, Bruksel, Berlin, Paris, Washington dhe në qendra të tjera të mëdha. Kjo do të jetë ajo për të cilën do të vazhdojmë të insistojmë çdo ditë”, është shprehur Bërnabiq.
E, kryeparlamentari i Serbisë, Vladimir Orliq, ka thënë se ky shtet duhet të tërhiqet nga dialogu në rast se Kosova nuk e themelon Asociacionin.
Violeta Haxholli thotë se Kosova nuk ka shumë zgjidhje sa i përket temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kjo tregon për sfidën që e pret Qeverinë e Kosovës, pasi kërkesa për themelimin e ASK-së mbetet njëra ndër kërkesat kryesore të palës serbe dhe duket se është një kusht për të vazhduar tutje me dialogun” thekson ajo.
Dy ditë më parë kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre të përbashkët dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmuan se i kanë ngarkuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri për t’i ofruar ndihmë direkte emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ata kanë shprehur pritjen nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të jenë të gatshëm për vendime të vështira në këtë proces.