Përkthimi i dokumenteve zyrtare në Komunën e Prizrenit sipas përfaqësuesve nga radhët e komuniteteve joshumicë nuk po realizohet me efikasitetin e duhur. Sipas tyre, kjo po e vështirëson komunikimin me administratën lokale, por edhe shqyrtimin e çështjeve në Kuvendin e Komunës. Zyrtarët përgjegjës kanë pohuar se po i shqyrtojnë mundësitë për angazhimin e përkthyesve nga jashtë.
Numri i vogël i përkthyesve në Komunën e Prizrenit po krijon telashe për komunitetet joshumicë. Sipas tyre, informimi lidhur me punët që kryhen nga administrata lokale, sikurse edhe komunikimi i dyanshëm, po realizohen me vështirësi.
Shqetësimet lidhur me këtë çështje janë adresuar para drejtorit të administratës komunale gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit për Komunitete. Kryesuesi i këtij komiteti, Ertan Simitçi, ka vlerësuar se Komuna e Prizrenit ka shumë vjet që po ballafaqohet me probleme në shërbimin e përkthimit, ani se deri tani kanë pasur mirëkuptim për mangësitë.
“Ne e dimë shumë mirë që është çështja e stafit problem, se deri më tani nuk janë punësuar punonjës të rinj në këtë sektor, por deri më tani e kemi respektuar këtë çështje. Por tani po ballafaqohemi me probleme të ndryshme, për arsye se i njëjti staf po merret me punën e Kuvendit, me punën e Komunës, dhe natyrisht që kërkesat po ngadalësohen apo nuk po realizohen sipas planit”, ka thënë Simitçi.
Ekzistimin e problemeve lidhur me efikasitetin në përkthimin e dokumenteve zyrtare të Komunës së Prizrenit e ka pranuar drejtori i administratës, Edin Shehu. Sipas tij, po shqyrtohet opsioni që shërbimet e përkthimit të kontraktohen jashtë administratës.
“Për çështjen e përkthimit besoj që është një punë që duhet të kryhet sa më shpejt që është e mundur, sepse edhe te çështjet gjatë mbledhjes së Asamblesë po kemi problem. Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që këta zyrtarë që do të vijnë, në mënyrë që të kryhet sa më shpejtë puna e përkthimit, të vijnë nga jashtë”, ka deklaruar zyrtari i lartë komunal.
Raportet e mekanizmave shtetërorë që mbikëqyrin respektimin e të drejtave të njeriut kanë konstatuar se autoritetet publike i respektojnë të drejtat gjuhësore në raportet e tyre individuale me pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, por se problemet evidentohen kryesisht lidhur me publikimet në ueb faqet zyrtare.
Çështjet të cilat i brengosin komunitetet joshumicë lidhur me përdorimin e gjuhëve të tyre në Komunën e Prizrenit muaj më parë janë paraqitur para autoriteteve komunale nga anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, që funksionon në kuadër të Zyrës së presidentit.
Drejtuesit e Komunës patën pranuar mungesën e përkthyesve në gjuhën boshnjake dhe atë turke, dhe u patën zotuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi do të ndërmarrin masat e duhura për angazhimin e përkthyesve shtesë dhe për eliminimin e mungesave në përkthim në gjuhët e komuniteteve në ueb faqen zyrtare.
Sipas Statutit të Komunës së Prizrenit, në territorin e saj gjuhë zyrtare janë: gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke.