LAJME

Komisioni për Legjislacion miraton katër projektligje për marrëveshje ndërkombëtare

Komisioni për Legjislacion miraton katër projektligje për marrëveshje ndërkombëtare
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Nëntor 2026, 13:15

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar katër projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën.

Të katër projektligjet u miratuan me nga 11 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Bëhet fjalë për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim, atë për Transferimin e Personave të Dënuar, si dhe marrëveshjen për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.

Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Kryetari në këtë komision, nga Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka thënë se këto janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat Kosova dhe Suedia i lidhin në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

“Këto janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat shteti ynë dhe Suedia i lidhin në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. E para, çështjet penale që përfshin të gjitha raportet në fushën e se drejtës penale ndërmjet shtetit, e dyta është çështja e ekstradimit, dhe transferi i personave dënuar. Është pako e përgjithshme e ligjeve që shteti me shtet në fushën e drejtësisë penale i lidh. Nëse një shtetas i Republikës së Kosovës në Suedi dhe e kundërta, gjykohet penalisht ose kërkohet që një shtetas i Kosovës të vuajë dënimin derisa ai po e kryen për një vepër të kryer në shtetin e Suedisë, ai mund të transferohet në Republikën e Kosovës për të vuajtur këtë dënim”, tha Qorrolli.

Ndërkaq, në pikën e të ndryshmeve, Qorrolli njoftoi se, pas përfundimit të konkurseve për dy pozita vakante në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për drejtor të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, komisioni do të formojë grupet punuese për shqyrtimin e kandidaturave dhe aplikacioneve.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje propozoi deputetin Blerim Gashi si kryesues të grupit punues për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Formimi i dy grupeve punuese u miratua me 11 vota për.

“Meqenëse tashmë janë mbyllur konkurset për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, dy vende vakante, dhe përzgjedhjen, konkursi i dytë të drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ne si komision funksional do të formojmë grupet e punës për shqyrtimin e kandidaturave dhe aplikacioneve të tyre… Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje do ta propozoj deputetin Blerim Gashi që të jetë kryesues për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha Qorrolli.

Gjatë mbledhjes, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi mënyrën e shqyrtimit të marrëveshjeve, duke kërkuar që ministrja e Drejtësisë të raportojë para deputetëve për përmbajtjen e tyre përpara votimit.

“Praktikat e deritashme kanë qenë që ministrja vjen në komision, dhe raporton për marrëveshjet. Nuk po flasim për marrëveshje që nuk duan trajtim të detajshem, dhe mendoj që Kuvendi nuk guxon t’i tejkalojë këto praktika të mira, sepse ministrja ka qenë në takime bilaterale me përfaqësues të shteteve, dhe është mirë edhe për opinionin publik, por edhe për ne, që ajo të vijë dhe para votimit të informojë deputetët. Këto praktika nuk guxojnë të tejkalohen dhe votimet të ndodhin siç u votua sot”, tha Deliu-Kodra./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika