Komisioneri i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisha Mlladenoviq, ka thënë se është shkelur Kushtetuta e Kosovës me zëvendësimin e tabelave në veri. Sipas tij, në komunat me shumicë serbe fillimisht emri i vendbanimit duhej të shkruhej në gjuhën serbe pastaj në shqip.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, të premten ka thënë se vendimi për zëvendësimin e tabelave në veri duhet të zbatohet vetëm pas konsultimeve me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Në një intervistë për KoSSev, Mlladenoviq ka thënë se zëvendësimi i tabelave është dashur të bëhet në frymën e multietnicitetit dhe përbërjes etnike të popullsisë në veri.
“Është e nevojshme që fillimisht të shkruhet emri në serbisht, pastaj në shqip. Por mënyra si janë vendosur, shkel nenin 59 të Kushtetutës”, ka thënë ai.





