Komandanti i misionit të Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, priti zonjën Eva Palatova, shefe e Bashkimit Evropian në Kosovë, në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë.
Sipas KFOR-it, takimi ofroi një mundësi për të diskutuar situatën e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për të rritur koordinimin.
Në njoftim thuhet se komandanti i KFOR-it shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
KFOR-i thekson tutje se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.