Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që të ndalen shfaqjet provokuese të forcës në veri të Kosovës, teksa ka përsëritur që ka kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar siguri.
Nga java e shkuar, rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak e Jarinjë janë bllokuar nga barrikadues serbë, që po protestojnë pas arrestimit të një ish-polici i cili dyshohet për sulmet ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në komunat e veriut, në përpjekjet e shtetit për t’i organizuar zgjedhjet që fillimisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për shkak të tensioneve.
Në një reagim në Twitter të premten, KFOR-i ka përsëritur se po e monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës. “KFOR-i ka kapacitetet dhe personelin për të ofruar siguri dhe ambient të sigurët e lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë që buron nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.





