LAJME

Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin për bashkëpunim me BIA-n

Kërkohet një muaj paraburgim për të dyshuarin për bashkëpunim me BIA-n
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 08:05

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata t’ia caktojë masën e paraburgimit prej një muaji Fehim Salit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazhi”.

Seanca dëgjimore ndaj të pandehurit Sali, ka nisur nga ora 09:00. Sali i cili u arrestua mëngjesin e së enjtes, në pikën kufitare në Merdar teksa po kalonte në Serbi pas orës 7 të mëngjesit. Ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarë të kësaj agjencie.

Pas arrestimit, Policia dhe Prokuroria Speciale ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në Dragash, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale. Sali punonte si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar për dy mandate në Këshillin Konsultativ për Komunitete brenda Presidencës së Kosovës.

Nga pozita në Këshillin Konsultativ për Komunitete ishte shkarkuar në vitin 2024.

E në mars të vitit 2021, KOHA pati raportuar se Fehim Sali ishte suspenduar nga puna e tij si mësues në shkollën fillore “9 Maji”, pasi kishte shpallur kandidaturën në listën e subjektit goran “Zajeno”.

Siç kishte deklaruar Sali, ai kishte marrë kërcënime dhe ishte përballur me presion nga subjekti tjetër goran, JGP, që, sipas tij, gëzonte mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe.

Për ato kërcënime e kishte përmendur edhe emrin e ish-deputetes së Listës Serbe, Jasmina Dediq.

Sali ishte kthyer më pas në punë, ndërkaq KOHA pati marrë vesh që hetimi ishte mbyllur për shkak se ai nuk kishte qenë i gatshëm të dëshmonte pas rikthimit në punë./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika