Një incident është shënuar dje në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku katër persona janë arrestuar pas kërcënimeve dhe ofendimeve të bëra ndaj avokatit, Besnik Berisha, gjatë një seance gjyqësore për rastin e “vrasjes së rëndë”.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe vet avokati Berisha, i cili tha se rasti tashmë është referuar tek organet kompetente dhe i njëjti pret “që institucionet e sigurisë dhe drejtësisë ta kryejnë punën e tyre siç parashihet me ligj.”
“Falënderoj Policinë dhe Prokurorinë në Prizren për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet e ndërmarra. Mbetem i përkushtuar të ushtroj profesionin tim në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës së Avokatit, pavarësisht sfidave apo presioneve të kësaj natyre.”, tha ai për Sinjalin.
Incidenti ka ndodhur dje, rreth orës 13:30, në sallën e gjykatës ku po zhvillohej seanca dëgjimore ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë. Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e viktimës.
Të dyshuarit janë identifikuar si siç ka mësuar Insajderi janë: Xh.J., A.F., L.F. dhe B.F.
Situata ka qenë nën kontroll deri në momentin kur avokati mbrojtës i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka filluar fjalën e tij. Në atë moment, të dyshuarit dhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes së viktimës që ndodheshin në publik kanë filluar të bërtasin, të kundërshtojnë dhe të ofendojnë avokatin, duke prishur rendin në sallë.
Sipas raportit policor, të dyshuarit fillimisht i janë drejtuar me fjalë fyese avokatit dhe të akuzuarit, duke bërë lëvizje me dorë në drejtim të tyre dhe duke përdorur shprehje si “kallash”, “qen” dhe fjalë të tjera ofenduese.
Njësitë policore që ndodheshin në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë, duke i shoqëruar katër personat në stacionin policor.
Pas konsultimeve me prokurorin e çështjes nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, është vendosur që tre nga të dyshuarit Xh.J., A.F. dhe L.F. të ndalohen për 48 orë, ndërsa i katërti, B.F., për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është liruar në procedurë të rregullt./Sinjali
