Më e shumta që mund të bëhet, është që pronarëve të restoranteve t`u mundësohet hapja e tarracave pak më herët se që është planifikuar
Nesër, e mërkurë, Këshilli Federal do të vendosë për zbutjen e parë të masave të bllokimit. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, që publikojnë mediat në mbrëmjen e sontme, restorantet nuk janë të përfshira në këtë zbutje për muajin mars.
Javën e kaluar, kur, më 17 shkurt, Qeveria Federale kishte prezantuar strategjinë e daljes nga bllokimi i koronës, protestat nga sektori i hotelierisë ishin të forta.
Qeveria e shtetit kishte propozuar rihapjen e dyqaneve, kopshteve zoologjike, muzeve dhe bibliotekave më 1 mars, transmeton albinfo.ch. Ndërsa për restorantet kishte porositur të kenë durim për të paktën një muaj më gjatë – dhe edhe pas kësaj të lejohen të hapin vetëm tarracat.
Siç njoftojnë njerëz të afërt me qeverinë, Këshilli Federal nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrim. Më e shumta që mund të bëhet, është që pronarëve të restoranteve t`u mundësohet hapja e tarracave pak më herët se që është planifikuar.





