Afërsisht janë bërë 3 javë prej kur ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë, e me 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca që kanë qenë në dispozicion deri më tani janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona. Përkundër që Ministria e Shëndetësisë po vlerëson që ky proces po shkon jashtëzakonisht mirë, ka të tjerë që ndajnë mendim tjetër, madje konsiderojnë që procesi i vaksinimit anit-COVID në Kosovë po shkon ngadalë.
Në një përgjigje për KosovaPress nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se vaksinimi po shkon sipas Planit Shtetëror për Vaksinim. Sipas tyre nuk ka nevojë për nguti.
“Procesi i vaksinimit po shkon krejtësisht sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit dhe jashtëzakonisht mirë. Ata që e konsiderojnë të ngadalshëm, janë krejt në periferi të ngjarjes dhe sigurisht nuk janë të familjarizuar në detaje me planin e vaksinimit dhe komentojnë sikur Kosova t’i kishte në dispozicion 240 000 doza, e jo 24 000 sa i ka. Nuk ka asnjë nguti që procesi të shkojë keq, përderisa administrimi i dozave po bëhet në bashkëpunim me këto grupe. Mbi 12.000 persona janë vaksinuar, ndërsa brenda pak ditësh kryhet kjo fazë sepse nga nesër nis vaksinimi i personave 75-79 vjeç me sëmundje kronike që janë grupacion më i madh se ato që janë vaksinuar deri tani”, thuhet në një përgjigjet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vetëm në qendrën kryesore të vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë prej 30 marsit kur nisi vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë e më pas edhe i personave mbi moshën 80-vjeç e tani kur po ndodh edhe vaksinimi i pacientëve me dializë në total janë vaksinuar mbi 4 mijë persona.
Kështu ka njoftuar koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi i cili për KosovaPress tha se plani ka qenë që shpërndarja e dozave të vaksinës anit-COVID në këtë qendër të përfundojë për rreth 1 javë.
Sipas tij, kjo qendër ka kapacitet për të vaksinuar deri në 1 mijë persona në ditë pasi thotë se aktualisht ekipet mjekësore po presin për të vaksinuar kategoritë që janë thirrur për vaksinim.
“Në total në qendrën 1 tetori ka kaluar 4 mijë persona të vaksinuar pavarësisht profileve dhe profesioneve që kanë pasur ata. Plani i punës ka qenë shumë dinamik dhe duke marrë parasysh siç po e shihni këtë hapësirë që ne e kemi në dispozicion ne kemi qenë të përgatitur gjithmonë për fluksin e njerëzve nga 750 deri në 1 mijë persona në ditë dhe aq ekipe i kemi pasur të gatshme, edhe sikur ta kishim atë fluks brenda një orari zyrtar nga ora 08:00 e deri në 19:30 padyshim që do e përballonim shumë suksesshëm. Sa i përket pjesës së qendrës ku po flasim ka qenë e paraparë që shumë shpejt të përmbyllet si proces, brenda 5 ose 6 ditësh por ja që nuk na ndodhi ashtu pa fajin tonë sepse e keni parë që çdo ditë kemi qenë këtu sepse ekipet mjekësore kanë qëndruar duke pritur këtu se kush do vijë të vaksinohet dhe po shohim dhe po shpresojmë që ndoshta vetëdijesohemi dhe ndoshta e përmbyllim sa më shpejt procesin e vaksinimit”, theksoi Bardhi.
Të gjithë procesin e vaksinimit kundër koronavirusit i cili tash e gati 3 javë ka nisur në Kosovë po e konsideron të ngadalshëm, Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve. Ai thotë se përgatitjet e ekipeve mjekësore nuk kanë munguar.
“E kemi përcjell procesin e vaksinimit dhe kemi vaksina pak, mirëpo vaksinimi është duke shkuar tepër ngadalë, që rrjedhimisht edhe po të kishim më tepër vaksina me këtë trend nuk do mund të vaksinonim më shumë qytetarë. Ka një mobilizim mjaftë të madh të ekipeve për vaksinim, nuk e di pse ka një trend kaq të ngadalshëm, por ato arsye duhet të dalin në pah dhe të zgjidhen”, theksoi Kodra.
Edhe për specialisten për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli procesi i vaksinimit është pak i ngadalshëm. Ajo këtë e arsyeton me faktin se prioritet në këtë fazën e parë të vaksinimit kanë pasur profesionistët shëndetësorë, dhe bartja e tyre ka kaluar me disa ngecje.
Xhemajli thotë se duhet të nis sa më parë një fushatë vetëdijësuese për vaksinimin, madje kërkon mobilizim më të madh me ardhjen e kontingjenteve të tjera të vaksinave.
“Procesi po shkon pak më ngadalë sesa që është planifikuar, mirëpo për shkak se raundi i parë i vaksinimit është tek stafi mjekësor ardhja e tyre dhe bartja e tyre në sallën ‘1 Tetori’, ka pasur disa ngecje, por në përgjithësi janë duke u vaksinuar njerëzit edhe nëse duhen edhe një javë më shumë se sa që është planifikuar, unë besoj që është në rregull. Apeloj tek të gjithë njerëzit që të vaksinohen sepse rreziku është tejet minimal krahas me benefitet që vijnë nga vaksinimi. Sa më shumë vaksina që vijnë aq më shumë duhet me pas grupe, si mobile, si nëpër lokacione të ndryshme, që duhet të merren me vaksinim besoj që këtë gjë e kanë marrë parasysh sepse me ardhjen e kontingjentit të ri duhet të vaksinohen edhe gjeneratat e tjera të popullsisë”, theksoi ajo.
Kurse, Shemsedin Dreshaj anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, thotë se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit problem do jetë shpërndarja e vaksinës kur do kemi doza të mëdha
“Ka shumë çka për të dëshiruar aty pasi që vërtet na është prolonguar procesi i vaksinimit. Jemi duke punuar me doza të vogla të vaksinimit, kur të na vijnë ato 100 mijë doza si do të veprojmë? Nëse do të vazhdojmë me një tepmo të tillë të shpërndarjes dhe marrjes së vaksinës vërtetë do kemi probleme në distribuimin e saj. Mendoj që Kosova ka kapacitete të rrisë kapacitetin e vaksinimit në vend dhe që të jemi më efikas në mbrojtje të qytetarëve. Është e hartuar strategjia lidhur me numrin e ekipeve të cilat do të punojnë në terren qoftë në nivel të kryeqytetit apo në nivel të shtetëror, ka shumëçka që mund të përshpejtohet aty ne procesin e marrjes së vaksinës”, tha Dreshaj.
Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës AstraZenenca u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80-vjeç dhe ata me sëmundje kronike. I pari që e mori dozën e vaksinës AstraZenenca ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.