Gjykatësi francez Nicolas Guillou, që e pa Jakup Krasniqin për herë të parë të hënën e 9 nëntorit, beson dhe dyshon se ish-kryeparlamentari i Kosovës ka koordinuar e organizuar plane për vrasjen dhe keqtrajtimin e njerëzve gjatë luftës. Kështu e përshkruan gjykatësi atë në vendimin për konfirmimin e aktakuzës kundër Krasniqit dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, përmendet si kontribues në krimet që Gjykata Speciale pretendon se ekziston dyshim i bazuar të jenë kryer nga ai, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Në vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për konfirmimin e aktakuzës kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ai shpalos edhe pak material mbështetës për ish-kryeparlamentarin e Kosovës dhe rolin e Krasniqit si pjesë e Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe zëvendëskomandant, raporton Gazeta Express.
Roli i Krasniqit në akuzat për kryerjen e krimeve të pretenduara të asaj që në Hagë e cilësojnë si ndërmarrje e përbashkët kriminale, paraqitet si determinues. Sipas këtij materiali, Krasniqi “ishte drejtpërdrejt i përfshirë në formulimin, aprovimin, shpërndarjen dhe zbatimin e planeve, politikave dhe praktikave”. Ai akuzohet se ka “kontribuar në përpjekjet për të mohuar ose siguruar informacion të pasaktë për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe publikun në lidhje me kryerjen e krimeve”.
Krasniqi thuhet se ka vizituar personalisht një numër qendrash në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja, e ku pretendohet të jenë kryer krime.
“Sa i përket pjesëmarrjes ose kontributit të z. Krasniqi në krimet nën pikat 1-10, materiali mbështetës tregon se z. Krasniqi vizitoi personalisht një numër vendesh në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja , përfshirë Likoc / Likovac, Jabllanicë / Jablanica, Malishevë / Malishevo, Kleҫkë / Klečka, zonat operacionale në Shalë, Llap dhe Kukës të Shqipërisë”, thuhet në këtë vendim.
Jakup Krasniqi akuzohet edhe se mori pjesë në takimet e komandantëve të zonave me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku pretendohet se ishin lëshuar urdhra për ndalimin e njerëzve.
“Përveç kontributeve të përmendura më lart, z. Krasniqi mori pjesë në një seri takimesh ndërmjet komandantëve të zonave dhe anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm në të cilin janë lëshuar urdhra që të ndalohen bashkëpunëtorët dhe ambientet e paraburgimit të krijohen për këtë qëllim. Këto udhëzime u zbatuan nga komandantët e zonave”, thuhet në vendim.
Sipas akuzave të Speciales, Jakup Krasniqi dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së njoftoheshin rregullisht për keqtrajtimin dhe vrasjen e njerëzve, e në veçanti të anëtarëve të LDK-së. Por, sipas vendimit për konfirmimin e aktakuzës, Krasniqi dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm i kishin mohuar këto akuza kur ishin përballur me një person.
“Sa i përket kontributit të z. Krasniqi në përpjekjet për të mohuar ose dhënë informacion të pasaktë në lidhje me kryerjen e krimeve, materiali mbështetës tregon se z. Krasniqi kërkoi të justifikonte veprimet e UÇK-së të ndërmarra kundër personave të caktuar si [REDAKUTAR]. [REDAKTUAR]. Z. Krasniqi gjithashtu deklaroi se [REDAKTUAR]. Përkundër deklaratave të tilla, kur u ballafaquan me [REDAKTUAR], anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë z. Krasniqi, të cilët ishin njoftuar rregullisht për rrëmbimet, vrasjet dhe rrëmbimet të serbëve dhe vrasjeve dhe zhdukjen e shqiptarëve, në veçanti të zyrtarëve të lartë të LDK-së, kishin mohuar prerazi akuzat në lidhje me vrasjen e bashkëpunëtorëve”, thuhet tutje në vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou.
Siç konsideron gjykatësi, Jakup Krasniqi ishte kontakti kryesor për disa nga komandantët e UÇK-së, të cilët morën urdhra, udhëzime dhe informacione përmes tij. Ai po ashtu akuzohet se kishte fuqi të emëronte komandantë e të zgjidhte mosmarrëveshje mes tyre, si dhe të lëshonte urdhra për lirimin e të ndaluarve.
“Sa i përket mbështetjes dhe koordinimit të z. Krasniqi me anëtarët e NPK-së, materiali mbështetës tregon se z. Krasniqi: (i) ishte kontakti kryesor për disa nga komandantët e zonës, të cilët morën urdhra, udhëzime dhe informacione përmes tij; (ii) ishte në kontakt të rregullt me zonat operacionale, përfshirë duke emëruar komandantë për emërime, duke marrë raporte për rezultatin e operacioneve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis komandantëve, dhe lëshimin e urdhrave, përfshirë ato të një natyre disiplinore si dhe për lirimin e të ndaluarve; dhe duke (iii) vizituar shpesh vende të shumta të treguara nën pikat 1-10 për të mbikëqyrur organizimin e njësive, të mbante kontakte dhe të siguronte furnizime, si dhe
të siguronte informacione të tjera, përfshirë [REDAKUTAR]”, thuhet në vendim.
Në vendimin me të cilin Guillou ka konfirmuar aktakuzën kundër Krasniqit dhe të tjerëve, thuhet se ish-zëdhënësi i UÇK-së ishte i përfshirë në përpilimin dhe shpërndarjen e politikave të UÇK-së përmes hartimin dhe lëshimit të komunikatave të Shtabit të Përgjithshëm.
Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor në shtëpinë e tij në lagjen Velania në Prishtinë dhe në po të njëjtën ditë u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Avokati i tij tha se po atë ditë ishin njoftuar për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij. /Express/