Zyrtarizohet nisma për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në shkresën drejtuar Kuvendit mazhoranca akuzon kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën me deklaratat gjatë fushatës zgjedhore duke sjellë ndasi sociale politike mes njerëzve.Ilir Meta data 21 Prill: “Ti mprehin sopatat, lopatat e sfurqet për të dielën…”Ilir Meta, data 23 Prill: “Ambasadorja amerikane të mos më thojë se çfarë do bëj në llogari të Edi Ramës..”
Ilir Meta, data 1 Mars: “Kush prek votën ti pritet dora…”Këto deklarata të ashpra para zgjedhjeve i vendosën serish në rrezik Ilir Metës postin e kreut të shtetit. Në një dokument prej 41 faqesh, 50 socialistë kanë hedhur firmën për të shkarkuar presidentin, bashkëngjitur një sërë provash që sipas firmëtarëve vërtetojnë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij politike.
“Në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore 2021, Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjelle të cilat në vlerësimin tonë përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndas sociale-politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit shqiptar”, thuhet në shkresën e socialistëve, tashmë e dërguar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.





