Rënia e presidentit Bashar al-Assad në Siri e poshtëroi mbështetësen e tij kryesore, Rusinë, duke i shpërfaqur kufijtë e fuqisë ushtarake dhe ndikimit global të Kremlinit.
Megjithëkëtë, për presidentin rus Vladimir Putin humbja e aleatit të tij më të afërt në Lindjen e Mesme mund të jetë veç barrierë e përkohshme në synimin e tij për një çmim shumë më të madh gjeopolitik: triumfi në Ukrainë.
Analistë ushtarakë e politikë thonë që fitorja në Ukrainë u shndërrua në synim gjithëpërfshirës për Putinin.
Rezultati, thonë ata, do t’ia justifikonte liderit rus humbjet e llahtarshme në njerëz e ekonomi, t’ia ruajë shtetësinë dhe pozitën globale dhe t’ia kompensojë dështimet strategjike gjetkë, si në Siri.
“Basti i Putinit mbi luftën në Ukrainë është aq i lartë sa që fitorja aty do t’i sillte Rusisë fitime të përmasave historike: Është krejt apo asgjë”, shkroi Aleksandr Baunov, analist politik në Carnegie Russia Eurasia Center, grup hulumtues. “Nëse mendon që fati i botës po caktohet në Donbas, atëherë edhe e ardhmja e Sirisë do të caktohet aty”.
Me pak fjalë, derisa Moska manovron t’i mbajë bazat e veta ushtarake në Siri, Putini mund ta intensifikojë ofensivën e tij të kushtueshme në Ukrainë për të rifituar pak prestigj. Komentues rusë pro luftës e ftuan Putinit ta bëjë pikërisht këtë, tek kërkuan njashtu kushte më të ashpra të paqes në Ukrainë për ta shmangur atë lloj armëpushimi jobindës që në fund shpiu në rënien e Assadit. Të dy skenarët do ta ndërlikojnë premtimin e administratës në ardhje të Donald Trumpit në SHBA për t’u dhënë fund shpejt luftimeve në Ukrainë. Pas rënies së Assadit, presidenti i zgjedhur Trump e talli Rusinë se dështoi ta shpëtojë aleatin e saj dhe i bëri thirrje Putinit të arrijë marrëveshje me Ukrainën.
“Rusia u dobësua tani shkaku i Ukrainës dhe ekonomisë së dobët”, shkroi Trumpi në platformën Truth Social. “E njoh mirë Vladimirin. Është momenti, koha i tij për veprim”.
Portreti i dëmtuar i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në një autostradë në Damask.
Thirrje për intensifikim luftimesh
Një nga tiparet më të qëndrueshme të sundimit të errët 25-vjeçar të Putinit është neveria për veprim në momente dobësie a nënshtrimi ndaj presioneve të jashtme.
Përshkrimet e tija se si do të dukej fitorja ruse në Ukrainë përherë qenë të paqarta. Deri vjet, Ushtria Ruse pati hequr dorë nga përpjekjet e dështuara për ofensiva masive që mund ta rrëzojnë shtetin ukrainas. Në vend të kësaj, u përqendrua në lindje, duke ushtruar presion mbi forcat ukrainase në shumë fronte dhe duke bombarduar qytetet e infrastrukturën kritike të Ukrainës. Ekspertë ushtarakë e interpretuan strategjinë si përpjekje për t’i rraskapitur ushtrinë dhe shoqërinë ukrainase si dhe për ta detyruar Kievin të ulet në tryezë negociatash.
Putini la të kuptohet se marrëveshja e paqes duhet të mundësojë që Rusia t’i mbajë të paktën ato territore që i pushtoi dhe që ta garantojë neutralitetin ushtarak të Ukrainës. Që do të thotë, të mos anëtarësohet në NATO. Rusia do njashtu ta ndrydhë kapacitetin ushtarak ukrainas.
Qeveria në Kiev refuzon me ngulm çdo kusht për paqe që zyrtarizon humbje territori apo që ia pamundëson hyrjen në NATO.
Por “debakli” rus në Siri e tkurr edhe më tej hapësirën për kompromis. Komentues rus pro-luftës e pritën me mëdyshje e zemërim rënien e Assadit, shmangien e së cilës e pamundësuan kërkesat e luftës në Ukrainë.
Ultranacionalisti i njohur rus, Zakhar Prilepin, e quajti Sirinë “katastrofa jonë”. E kritikë tjerë i sugjeruan Rusisë të mësojë nga gabimet e Assadit.
“Përfundimi është i qartë: më mirë të mos braktisen konfliktet e ngrira”, thotë Oleg Tsaryov, ish-deputet ukrainas pro-Rusisë. “Nëse një konflikt ngrihet, armiku s’do mend që do ta shfrytëzojë momentin tuaj të dobësisë”.
Sipas Tsaryovit, Rusia duhet ta detyrojë Ukrainën ta pranojë marrëveshjen e paqes që, mes tjerash, e detyron ta ndalë synimin për anëtarësim në NATO dhe ta pranojë humbjen e rajoneve të aneksuara,
“Territoret e kontestuar janë shkak për konflikt të pafund”, mendon ai.
Rikthimi i prestigjit të humbur
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha vetëm pak ditë më parë se mund ta pranojë humbjen e përkohshme të ndonjë territori të pushtuar, porse kurrë jo ndryshimin e përhershëm të kufijve.
Këtë pikëpamje, sipas sondazheve, e mbështet shumica e ukrainasve.
E kritikët kërkuan që ushtria t’i përgjigjet me më shumë brutalitet ndaj Ukrainës, gjendjes në Siri.
“Është koha për të treguar ashpërsi ekstreme, madje mizori në Ukrainë”, shkroi Aleksei Pilko, historian ultranacionalist rus, në Telegram. Bëri thirrje për vrasje të zyrtarëve ukrainas, për më shumë sulme ajrore ruse kundër objekteve qeveritare si dhe infrastrukturës energjetike. Ashtu sikurse Putini, ata ofruan pak detaje se si ushtria e varfëruar ruse mund ta arrijë kapitullimin ukrainas që do t’i kënaqte pretendimet e tyre. E nëse Putini do t’i marrë parasysh këto apo ndonjë argument tjetër, kjo është çështje tjetër.
Vasily Kashin, studiues politik në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Moskë, e kualifikoi vrullin e reagimeve nacionaliste pas lëmshit në Siri si “zhurmë mediatike”. Tha se Kremlini do ta vazhdojë luftën sipas planit dhe s’ka gjasa të shpërqendrohet nga ngjarjet periferike që patën pak apo aspak ndikim në fushëbetejë.
Putini s’do mend se prej kohësh e kultivoi imazhin e një strategu të patrazuar nga baticat dhe zbaticat e ngjarjeve të përditshme. Por goditja që e pësoi në reputacionin global si rrjedhojë e rënies së Assadit mund ta shtyjë në një shpërfaqje të fuqisë në Ukrainë, mendon Tatiana Stanovaya, studiuese politike ruse në Carnegie Russia Eurasia Center. “Mund të tundohet të tregojë se Rusia s’është e mundur dhe që di se çfarë bën”, shtoi ajo. “Dhe kjo mund ta zhysë në dyshime se çfarë mund të pranojë në Ukrainë”.
Për të demonstruar forcë, Putini mund të ofrojë kushte të reja në bisedime të paqes ose mund edhe t’i përshkallëzojë sulmet ajrore.
Një zyrtar amerikan që foli në kusht anonimiteti, tha se në ditët në vijim Rusia mund ta godasë Ukrainën me një tjetër Oreshnik, raketë balistike e re dhe e fuqishme. Në Qeverinë ukrainase thanë se kërcënimet e Putinit për përshkallëzim përbëjnë blof ngase ushtria ruse veçse po lufton me kapacitet maksimal teksa lufta po i afrohet vitit të katërt.
Për disa, debati mbi përgjigjen e mundshme të Putinit ndaj rënies së Assadit e fsheh një mësim më të rëndësishëm mbi luftës civile 13-vjeçare të Sirisë: vështirësinë për të fituar konflikt të zgjatur.
Fushata ushtarake ruse për t’i kurthuar armiqtë e Assadit doli e pavlerë, iluzion i fitores që ende mund të bëjë jehonë në Ukrainë.
“Në botë moderne, fitorja është e mundur veç në një luftë të shpejtë dhe të shkurtër”, shkroi Ruslan Pukhov, ekspert i njohur ushtarak rus. “Nëse s’mund të korrni sukses në sferën ushtarako-politike, përfundimisht do të humbni pavarësisht se çfarë bëni”./ New York Times/