Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten e ka dënuar me 10 muaj burgim efektiv dhe 100 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje, Arben Kurtiq.
Ky aktgjykim është shpallur nga gjykatësja Lumnije Krasniqi pasi që paraprakisht, i akuzuari Kurtiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Krasniqi në arsyetimin e aktgjykimit ka thënë se i akuzuari Kurtiq është i dyshuar për 47 vepra penale, ku 15 prej tyre janë bërë të plotfuqishme, e që sipas gjykatëses Krasniqi një ndër këto aktgjykime të plotfuqishme, ishte shpallur nga vet ajo.
“Arsyeja e dënimit është se ky dyshohet për 47 vepra, ndërsa i ka të plotfuqishme afërsisht 15 prej tyre. Arbeni brenda viti 2020 ka për pesë vepra kallëzim penal, ndër to ‘sulm i personit zyrtar’, ‘dhunë në familje’, ‘vjedhje”’etj. Një ndër rastet që i kom gjyku edhe u kon i plotfuqishëm është edhe një aktgjykim prej meje. Unë ja kom jep shancën me u rehabilitu, i kom shqiptu urdhrin për punë në dobi të përgjithshme, me ja mundësu me u rehabilitu edhe mos me qu në burg, e ky atëherë më ka falenderu , por ky nuk po ndalet”, tha gjykatësja Krasniqi.
Ajo tutje ka shtuar se dënimi me 10 muaj burgim dhe 100 euro gjobë të akuzuarit i është shqiptuar, pasi që si rrethanë lehtësuese i është marrë gjendja e dobët ekonomike.
“Ky dënim është duke ju falenderu gjendjes së tij ekonomike, se përndryshe nuk e kish pas dënimin me 10 muaj burg e 100 euro gjobë, e kemi parasysh gjykata kushtet e tij ekonomike”, tha gjykatësja Krasniqi.
I akuzuari është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.
Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së kopjes së aktgjykimit.
Të akuzuarit i është vazhduar edhe masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Ndryshe i akuzuari, gjendet nën masën e paraburgimit që nga 3 tetori 2020.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Arben Kurtiq, të ciline akuzon se më 3 tetor 2020 në Lagjen Kolonia, Minimarketi “Vëllezërit Mjeku”, në Fushë Kosovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka vjedhur duke marrë nga depoja e minimarketit të lartcekur 9 boksa me cigare të llojit “Marlboro”, në vlerë 250 euro, duke i futur në bagazhin e motoçikletës së tij.
Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Kurtiq, edhe 15 boksa të tjerë me cigare i kishte përgatitur që ti vjedh, ku me atë rast përmes kamerave të sigurisë, respektivisht video incizimeve nga vendi i ngjarjes vërehet nga i dëmtuari- pronari i marketit, Granit Mjeku, i cili e kishte lajmëruar policinë.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhje”, nga neni 313 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi