Një i burgosur ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë. Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB) kanë njoftuar se rreth orës 22:00, i burgosuri me inicialet E.G. është gjetur i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas rastit kanë reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Megjithë përpjekjet për ofrimin e ndihmës së nevojshme mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë.
I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit dhe ishte pranuar në institucion më 15 gusht 2024. Sipas të dhënave zyrtare, lirimi i tij ishte paraparë më 1 mars 2048.





