Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s hyn në fuqi të enjten më 01.10.2026, ndërsa në kuadër të këtij akti do të bëhet edhe nisja e pakos së parë të eksportuar nga Kosova drejt tregut të EFTA-s.
Pakoja do të niset në ora 13:00 nga kompania “Green House”, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
EFTA përfshin Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, tregje të cilat karakterizohen nga fuqi e lartë blerëse.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se për herë të parë, kjo marrëveshje krijon mundësi të zgjeruara edhe për tregtinë e shërbimeve, nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit, te shërbimet profesionale, biznesore, transporti dhe ndërtimi.
“Nga 1 tetori, synimi është i qartë: më shumë ‘Made in Kosova’ në tregjet e EFTA-s, më shumë eksporte, më shumë partneritete dhe më shumë investime”- tha ajo.
Sipas MINTI-t, gjatë vitit 2025 Kosova eksportoi mbi 100.4 milionë euro mallra në vendet e EFTA-s, ndërsa importoi rreth 53 milionë euro, duke regjistruar një bilanc pozitiv tregtar prej 47.4 milionë eurosh.
Nga vlera e përgjithshme e eksporteve në këto tregje, rreth 99.4 milionë euro ishin eksporte drejt Zvicrës.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, synohet rritja e eksporteve të produkteve “Made in Kosova”, krijimi i partneriteteve të reja dhe tërheqja e investimeve./Kallxo.com