LAJME

Fjalët e Jusuf Gërvallës 47 vjet më parë – Donika Gërvalla ndan një faqe nga ditari i tij

Fjalët e Jusuf Gërvallës 47 vjet më parë – Donika Gërvalla ndan një faqe nga ditari i tij
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Tetor 2026, 10:23

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës, ka ndarë sot një faqe nga ditari i babait të saj, të shkruar më 30 dhjetor 1979, vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë pas arratisjes së tij nga Kosova.

Donika Gërvalla ka ndarë këtë faqe të ditarit të babait të saj, Jusuf Gërvalla në 81 vjetorin e lindjes së Jusfit.

Në këtë letër shpalosen malli për vendlindjen, dhimbja e ndarjes nga familja dhe shpresa e palëkundur për shpëtimin e Kosovës.

“Shumë të dashur miq, në 81-vjetorin e lindjes së Babit, dua të ndaj me ju një faqe nga ditari i tij, të shkruar në Ludwigsburg më 30 dhjetor 1979, vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë pas arratisjes së tij nga Kosova. Sot, në Kosovën e lirë, eshtrat e tij prehen në Dubovik”, shkruan Donika Gërvalla.

Pjesë nga ditari i Jusuf Gërvallës:

[…]

Në ç’gjendje të shthurur shpirtërore jam tërë kohën, mund të shihet edhe nga përmbajtja edhe nga kaligrafia e këtij shkrimi.

Po arsyetohem, duke thënë që nuk është çudi. Jam shkëputur nga toka që më lindi e më ushqeu më se 34 vjet. Kurrë s’i kam pasur në hatër largimet nga vendlindja, as për shëtitje të shkurtra, madje, dhe sesi po më vjen sikur jam shkëputur nga pjesa më e fuqishme e vetvetes.

Pas shpine lashë qindra e qindra të burgosur politikë, që po bien sakrificë për çështjen e atdheut, mes tyre Hysenin dhe Ekremin; lashë gruan me tre fëmijë dhe gruan e Hysenit me shtatë fëmijë. Një shthurje e madhe e vendlindjes dhe e familjes njëherazi.

Edhe për Bardhin morëm vesh që në Konsullatën Jugosllave qenka në sy si armik i Jugosllavisë, prandaj, në këtë çast, po e zë të arratisur edhe atë.

Por, megjithë ndjenjën e zbraztësisë së madhe si pasojë e kësaj shthurjeje të madhe, shpresa për shpëtimin e atdheut po më mban gjallë. Kosova ime po hy në një rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjejë edhe shpëtimin. Jetën po e jetoj falas, deri kur të më jipet rasti (nderi) që ta jap për Kosovën, për Shqipërinë, për Shqiptarizmën.

Po Shqipëria nënë, ç’thotë vallë ajo sot?

A e ka ndër mend dhe a ka kushte t’i hyrë kryerjes së detyrës, e cila po e pret qëmoti?

Armiku ynë e humbi torruan, u nevrikos, e hoqi maskën! Kështu, me nervozizëm, do t’ia hajë një ditë kokën vetes, në rrugën e degjenerimit të vet. Së paku do të mbetet pa Kosovën edhe pa shqiptarët!

Jusuf Gërvalla. 

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika