Mediat në Kroaci kanë ngritur dyshimin se dy raste të transplantimit të organeve në spitalin “Rebro” në vitin 2019 kanë mundur të jenw raste të trafikimit të organeve.
Dyshimi ka lindur pasi dhurues të veshkës ishin një shtetas i Kosovës dhe një shtetas i Serbisë, ndërsa pacientët, të cilëve iu transplantua veshka ishin shtetas të Kroacisë.
E përditshmja “Jutarnji list” shkruan tw mwrkurwn se dyshimi lind sidomos kur merret parasysh se dhuruesi nga Kosova ka qenë “person në gjendje të vështirë ekonomike, me profesion bukëpjekës i pa kualifikuar, baba i gjashtë fëmijëve dhe nuk ka folur gjuhën kroate”. Ndërsa adhuruesi tjetër ka qenë një vozitës kamioni nga Serbia.
Pacienti, të cilit i është vendosur veshka thuhet të kenë qenë “në gjendje të mirë financiare”.
Mediat kroate shkruajnë se komisioni për etikë i mjekëve të Kroacisë ka konkluduar se ka pasur “lëshime etike” në këto raste dhe të gjitha të dhënat nga inspektorati i janë dorëzuar Prokurorisë së shtetit për hetime.
Ministri i Shëndetësisë i Kroacisw, Vili Berosh, ka mohuar se rasti është hetuar si “trafikim i organeve”.
Këto raste kanë ngritur dyshimin, pasi në Kroaci janë shumë, shumë të rralla rastet e transplantimit nga dhuruesit e gjallë. E edhe më të rralla janë rastet kur dhuruesit e gjallë nuk janë në lidhje të afërta familjare me pacientët që kërkojnë transplantim.
Kroacia ndodhet në listën e vendeve ku transplantimi i organeve është shumë mirë i organizuar dhe janë shumë të rralla transplantimet nga dhuruesit e gjallw. Për transplantimin e veshkave, Kroacia zë vendin e tretë në botë. Në vitet e fundit raste të transplantimit të veshkave nga donatorët e gjallë kanë qenë 3 deri në 5 në vit dhe atë kryesisht transplantime nga dhuruesi te pacienti që janë në lidhje familjare.
Disa spitale në Kroaci kanë thënë se i refuzojnë transplantimet kur dhuruesi dhe kërkuesi i organit nuk janë në lidhje familjare./koha.net/